Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka thënë se politika e Bashkimit Europian ka dështuar në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur për protestat në Serbi, ai thotë se nëse Unioni s’e ndërron qasjen ndaj rajonit mund të ketë kërcënime për luftë, më shumë destabilitet e nacionalizëm.
“Serbët kanë javë që protestojnë për vlerat europiane. Por ata nuk e shohin më BE-në si aleate. Vështirë se dikush në Ballkanin Perëndimor beson më në një perspektivë të BE-së. Protestuesit janë të zhgënjyer me BE-në. BE-ja ka bashkëpunuar me [presidentin serb] Vuçiqin për një kohë të gjatë”.
Roth tha se BE s’bën ta humbë Ballkanin Perëndimor si rajon.
“Politika jonë për Ballkanin Perëndimor ka dështuar. Ne kemi nevojë për një “Zeitenwende”, përndryshe përballemi me kërcënimin e luftës, edhe më shumë destabilitet, nacionalizëm dhe autoritarizëm. Ne nuk duhet të humbasim Ballkanin Perëndimor si një rajon i demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë, sigurisë dhe prosperitetit”.
Roth para pak ditësh mori Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja Vjosa Osmani për rolin dhe kontributin e tij ndaj Kosovës.
Nga viti 2013 deri në vitin 2021 Roth shërbeu gjithashtu si ministër i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë në qeverinë e kancelares Angela Merkel.