Chelsea e dinte se duhej të zvogëlonte një diferencë të konsiderueshme prej tre golash pas humbjes së tyre 5-2 në ndeshjen e parë në Paris. Por, në fund ata u detyruan të pranojnë epërsinë e PSG, që triumfoi edhe në ndeshjen e kthimit të Champions League luajtur dje në Londër.
Liam Rosenior, trajneri i “blues”, ishte i hidhëruar në fund të ndeshjes: “Ne padyshim donim të luftonim më fort. Merita i takon PSG, pasi kontrolli i tyre i topit ishte i nivelit të lartë në të dyja ndeshjet, ata meritojnë të avancojnë”.
“Futbolli ka të bëjë me momentet: nëse i lejon kundërshtarët të fitojnë vetëbesim pa i lodhur shumë, ata bëhen të pandalshëm. Ne ishim në lojë për gjashtë minutat e para, pastaj bëmë një gabim individual. Kvaratskhelia është një lojtar i shkëlqyer dhe ai nuk fal“, tha Rosenior.
Në lidhje me zëvendësimet poër të ruajtur lojtarët, ai tha: “Ky vendim taktik u diktua nga nevoja për të ruajtur lojtarët kryesorë. Ky është realiteti i këtij grupi. Ata kanë luajtur mbi 100 ndeshje në 18 muaj, për klubin dhe vendin, pa ndërprerje. Mendoni për udhëtimet në Amerikën e Jugut të Joao Pedro, Enzo ose Moises Caicedo”.
“Kjo është pasojë e fitimit të Kupës së Botës për Klube, një arritje fantastike, por nëse nuk i menaxhoj minutat e lojtarëve si Reece James, rreziku i lëndimit bëhet jashtëzakonisht i lartë. Duhet të marr vendime të vështira, të cilat mund të mos duken të mira në atë kohë, për të mirën afatgjatë të klubit,” vazhdoi Rosenior.
Së fundmi, ai u dërgoi një mesazh tifozëve të Chelsea: “Nuk duam të përjetojmë më netë si kjo. Ky është një klub fantastik ku tifozët kërkojnë sukses të menjëhershëm dhe kjo është e drejtë duke pasur parasysh sa i madh është Chelsea. E kuptoj zhgënjimin e tyre me rezultatin e përgjithshëm. Dua t’i bëj të lumtur dhe t’u jap netët që meritojnë. Ishte një eliminim vërtet i vështirë për t’u pranuar mënyra se si ndodhi.”
The post Rosenior: Humbje dhe eliminim i dhimbshëm, tifozëve të Chelsea u premtoj netë të lavdishme appeared first on Telesport.










