Ronaldo, fenomeni brazilian, nuk i ka kursyer fjalët.
Nga Trump Tower në New York, ish-fituesi i Topit të Artë mbrojti me vendosmëri Kupën e re të Botës për Klube 2025, kompeticionin e ripërtërirë nga FIFA dhe të zgjeruar në një format XXL.
Braziliani ka vënë në shënjestër kritikët që e kanë quajtur turneun një “fiasko totale”, duke bërë thirrje për mbylljen e tij. Shënjestra e parë kryesore ka qenë Javier Tebas, president i La Liga-s, i cili ka shprehur mendime shumë negative në lidhje me turneun.
Për Ronaldo-n, qëndrimi i Tebas është “i prapambetur” dhe Kupa e Botës për Klube përfaqëson një epokë të re për futbollin e klubeve, më globale dhe gjithëpërfshirëse.
“Armiku” tjetër i Ronaldo-s është Jürgen Klopp. Ish-trajneri i Liverpool-it, i njohur për kritikat e tij ndaj kalendarit tepër të ngjeshur dhe logjikës komerciale të këtyre turneve, kishte vënë në dyshim vlerën sportive të Kupës së Botës për Klube.
Por për “Fenomenin”, gjermani nuk e ka kuptuar thelbin dhe esencën e kompeticionit.
Përtej kritikave, Ronaldo donte të dërgonte një mesazh më të thellë: nevojën për një lloj tjetër futbolli. Një futboll më gjithëpërfshirës, më të arritshëm dhe, mbi të gjitha, më afër protagonistëve të tij të vërtetë: tifozëve.
Ndërsa pranoi se përsosmëria nuk ekziston, braziliani përqafoi drejtimin që ka marrë FIFA.
“Ne do të përpiqemi të përmirësohemi, sigurisht. Jam i lumtur që shoh njerëz të lumtur, sepse futbolli është për tifozët dhe mendoj se kjo Kupë Bote për Klube përfaqësoi pikërisht këtë”, tha ai.
The post Ronaldo kundër Tebas dhe Klopp: “Unë shikoj diçka që ata nuk e shohin” appeared first on Telesport.