Ishte e pamundur të mos vihej re, sidomos kur Cristiano Ronaldo mbetet gjithmonë futbollisti më i fokusuar nga kamerat në fushë. Në fitoren e thellë 5-0 të Portugalisë ndaj Uzbekistanit në ndeshjen e dytë të Grupit K të Kupës së Botës, ku sulmuesi portugez realizoi një dopietë, ai ishte i vetmi lojtar që luante me fanellë me mëngë të gjata.
Ndryshe nga sa u komentua në rrjetet sociale, temperatura brenda “NRG Stadium” në Houston të Teksasit nuk ishte e lartë. Çatia e stadiumit ishte e mbyllur dhe ambienti kontrollohej nga sistemi i ajrit të kondicionuar.
Megjithatë, dukej e pazakontë të shihje të gjithë lojtarët e tjerë me mëngë të shkurtra, ndërsa Ronaldo ishte i vetmi që mbante versionin me mëngë të gjata të fanellës së “Puma”. Në fakt, kjo është një traditë që e shoqëron prej shumë vitesh, pavarësisht kushteve atmosferike.

Pse Ronaldo luan me mëngë të gjata?
Arsyeja kryesore lidhet me zakonin dhe dozën e supersticionit që e shoqëron. Ronaldo njihet si një sportist jashtëzakonisht metodik dhe i përkushtuar ndaj ritualeve të tij. Me kalimin e viteve, fanella me mëngë të gjata është kthyer në një element të pandashëm të paraqitjes së tij.
Kur nisi ta përdorte rregullisht, veçanërisht gjatë sezonit 2006/07 te Manchester United dhe më pas te Real Madridi, ai filloi të shënonte me ritme të jashtëzakonshme. Që nga ajo kohë, Cristiano e ka lidhur fanellën me mëngë të gjata me suksesin dhe qetësinë psikologjike në fushë.
Ekziston edhe një arsye praktike. Ronaldo është një nga futbollistët që pëson më shumë ndërhyrje dhe rrëzohet shpesh gjatë ndeshjeve. Mëngët e gjata i mbrojnë krahët dhe bërrylat nga gërvishtjet, prerjet dhe mavijosjet, duke i ofruar më shumë rehati fizike.

Edhe çështje imazhi
Për një markë globale si CR7, rëndësi ka edhe imazhi. Si një nga sportistët më të fotografuar dhe më ikonikë në botë, Ronaldo kujdeset për çdo detaj të paraqitjes së tij. Fanella me mëngë të gjata i jep një pamje më elegante dhe karakteristike, duke e dalluar nga lojtarët e tjerë në fushë dhe forcon identitetin e tij vizual.
Për këtë arsye, edhe në temperatura të larta, Ronaldo vazhdon të luajë me mëngë të gjata. Rastet kur ai bën përjashtim janë shumë të rralla. Madje, edhe kur skuadra disponon vetëm fanella me mëngë të shkurtra, ai shpesh vesh poshtë një bluzë termike me mëngë të gjata në të njëjtën ngjyrë.
The post Ronaldo, i vetmi me mëngë të gjata në Portugali-Uzbekistan. Ja pse Cristiano nuk mund të bëjë pa to appeared first on Telesport.








