Ronaldo i jep këshilla Mbappes për pozitën e re në fushë, e ka një porosi për tifozët e Realit

Cristiano Ronaldo i ka dhënë këshilla domethënëse Kylian Mbappes, i cili në Real Madrid po përballet me situatë të njëjtë me portugezin.

“CR7” në fillimet e tij të karrierës ishte një sulmues krahu, njëjtë si francezi, por në “Santiago Bernabeu” u zhvendos më në qendër të sulmit duke u bërë një “vrasës” para portave kundërshtare.

E i njëjti “fat” duket se po e pret edhe ish-futbollistin e Monacos dhe të Paris Saint-Germainit, përcjell “Gazeta Express”.

Prej se ka zbarkuar në Madrid, trajneri Carlo Ancelotti e ka zhvendosur atë në qendër të sulmit duke e pasur parasysh se në të majtë luan Vinicius Junior.

“Nëse do të isha tash në Real Madrid, do ta mësoja Mbappen se si të luajë në pozitën e 9-shit.”

“Është e vështirë për të sepse ai nuk di se si të luajë si qendërsulmues. Sipas mendimit tim, kjo nuk është pozita e tij natyrale.”

“Unë nuk isha sulmues qendre, por u mësova duke luajtur në këtë pozitë. Unë fillimisht luaja në krahë dhe isha sulmues anësor, por jo një sulmues tipik. Me kohë, u ambientova në pozitën e re…”

“Mbappe duhet ta bëjë të njëjtën gjë dhe të bëhet sulmues, por jo sulmues tipik i qendrës. Ai duhet ta bëjë të njëjtën gjë si unë.”

Gjithashtu, 39 vjeçari pati porosi edhe për tifozët madrilenë, të cilëve iu garantoi se Mbappe do të bëjë gjëra të mëdha në Madrid.

“Tifozë të Realit, kujdesuni për këtë djalosh, është lojtar shumë i mirë, lojtar i madh.”

“Real Madridi duhet ta ndihmojë dhe ta mbrojë atë, dhe nuk ka dyshim se ai do të sjellë shumë lumturi për tifozët.” /Gazeta Express