Ronaldo 47 – Romario 41, dy brazilianët që magjepsën te Barcelona me golat e tyre

Romario de Souza dhe Ronaldo Nazario de Lima ishin dy nga golashënuesit më të mëdhenj blaugrana në fund të viteve 90-të. Ata kishin dy pika të përbashkëta: të dy brazilianë dhe të dy të transferuar te Barça nga PSV Eindhoven. Në “Camp Nou” magjepsën me instinktin e tyre për gol dhe finalizimet spektakolare. Ishin pjesë kyçe në skuadrat e drejtuara nga Johan Cruyff dhe Bobby Robson, përkatësisht.

Romario shënoi 41 gola (1 me penallti) në vetëm një sezon e gjysmë; ndërsa Ronaldo shënoi 47 gola (5 me penallti) në të vetmin sezon me fanellën e Barçës. Romario mbërriti te Barça në verën e vitit 1993, pas pesë sezonesh në Holandë, ku kishte shënuar 148 gola. Si blaugrana fitoi La Liga-n, në sezonin kur ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit me 30 gola në 33 ndeshje.

Mund të kishte qenë “bomber” për shumë vite, por aventura e tij në “Camp Nou” përfundoi pas vetëm një sezoni e gjysmë, pas konfliktit me klubin për shkak të vonesës në rikthimin nga pushimet pa leje, pasi kishte luajtur, dhe fituar, Kupën e Botës 1994 me Brazilin.

Në përmbledhje: sezoni i tij i dytë te Barça, ku shënoi vetëm 7 gola në 17 ndeshje, zgjati deri në janar. Më pas u kthye në Brazil, ku vazhdoi të shënonte me Flamengon. Pati edhe një periudhë të shkurtër e jo shumë të suksesshme te Valencia, luajti në klube të tjera në vendin e tij, në Katar, SHBA dhe Australi, derisa u tërhoq nga futbolli në moshën 43-vjeçare.

Gjithsesi, në sezonin e tij të parë me Barcelonën la shfaqje të paharrueshme, përfshirë 5 “hat-trick”, i pari prej tyre në debutimin në shtëpi kundër Real Sociedad (3-0). Shënoi gjithashtu nga 3 gola ndaj Atletico (3-4 në “Calderón” dhe 5-3 në “Camp Nou”), ndaj Osasuna (8-1) dhe ndaj Real Madridit, në atë ndeshje të famshme që u kujtua për “cola de vaca” ndaj Alkorta-s dhe përfundoi me rezultatin spektakolar 5-0.

Pas largimit të Romarios dhe zëvendësimit të Cruyff me Bobby Robson në stolin katalanas, një vit më vonë Barça u kthye të “peshkonte” te PSV. Kështu, Ronaldo u bë menjëherë referenca kryesore e golave për ekipin blaugrana. Ai regjistroi 3 “hat-trick”; një ndaj Zaragoza (4-1) dhe dy ndaj Atletico (5-4 në shtëpi dhe 2-5 në Madrid). Sidoqoftë, ndoshta goli i tij më ikonik ishte ai që shënoi kundër Compostela (1-5), pas aksionit individual ku kaloi pothuajse gjithë fushën, duke shmangur çdo mbrojtës që i dilte përpara dhe mposhtur portierin Fernando pa mëshirë.

Fatkeqësisht, edhe qëndrimi i Ronaldos te Barça ishte i shkurtër, vetëm një sezon. Në fund të sezonit 1996-1997, agjenti i tij nuk arriti marrëveshje me klubin për rinovimin e kontratës dhe sulmuesi pranoi ofertën e Interit, që pagoi shumën rekord për transferimin e “Fenomenit”. Pas pesë sezonesh në Itali, Ronaldo firmosi me Real Madridin, ku qëndroi gjithashtu pesë vite dhe shënoi gjithsej 104 gola.

The post Ronaldo 47 – Romario 41, dy brazilianët që magjepsën te Barcelona me golat e tyre appeared first on Telesport.