Roma ka bërë detyrën duke fituar 3-0 ndaj Cremonese në sfidën e luajtur në “Olimpico”, e vlefshme për javën e 26-të në Serie A. Sfida u zhbllokua në minutën e 60-të, ku Bryan Cristante shënoi me kokë pas krosimit të Lorenzo Pellegrini nga goditja e këndit.
Në minutën e 77-të përsëritet skena e golit të parë. Këtë herë kroson nga këndi Cristante dhe Evan Ndicka duke përfituar nga përgjumja e mbrojtjes së Cremonese-s, dërgon topin në rrjetë dhe dyfishon shifrat.
Në minutën e 86-të ishte i futuri në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë, Niccolo Pisilli, që vulosi shifrat 3-0 me golin e tij. Pas kësaj fitoreje, Roma shkëputet disi nga Juventus dhe mban vendin e 4-të me 50 pikë, 4 pikë më shumë se bardhezinjtë e vendit të pestë.
Nëse gara për titull mund të quhet e përfunduar, me humbjen e Milanit 0-1 ndaj Parmës, tani gara e vërtetë do të jetë për Kupat e Europës, ku në lojë janë 6 ekipe, ku luhet për zonën Champions League, një vend në Europa League dhe vendi i gjashtë në Conference League.
Ndeshja përmbyllëse e javës së 26-të luhet nesër mes Fiorentinës dhe Pisës. Në rast fitoreje të klubit vjollcë nesër, mund të themi që tani që Pisa dhe Verona do të luajnë në Serie B për sezonin e ardhshëm. Për t’i shpëtuar vendit të 18-të, do të jetë garë mes Fiorentines, Lecce-s dhe Cremoneses.
The post Roma bën detyrën në shtëpi ndaj Cremonese dhe shkëputet nga Juventus. Ja situata në Serie A appeared first on Telesport.









