Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Matthew Halling është përpjekur t’i diskreditojë dëshmitë e dy dëshmitarëve ndërkombëtarë, ish-gjeneralit të NATO-s Wesley Clark dhe ish-diplomatit amerikan James Rubin, me pretendimin se Hashim Thaçi i ka mashtruar ata.
Gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, prokurori amerikan e akuzoi Thaçin për fshehje të fakteve rreth rolit të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Halling tha se Thaçi e gënjeu gjatë procesit gjyqësor dëshmitarin e Prokurorisë, Frederic Abraham nga Humans Rights Watch.
“Së dyti, dhe në mënyrë më thelbësore, mesazhi i Thaçit kundër “luftës speciale” dhe elementeve autonome pasqyrohet publikisht nga Shtabi i Përgjithshëm edhe në forma të tjera. Për të marrë vetëm një shembull: më 1 nëntor 1998, Drejtoria e Policisë Ushtarake e Shtabit të Përgjithshëm nxori komunikatën për shtyp nr. 4, e diskutuar shumë herë gjatë gjykimit. Kjo komunikatë detajon arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit, të cilët akuzoheshin për bashkëpunim me bashkëpunëtorë të ekzekutuar, Ramiz Hoxhën dhe Selman Biniçin”, tha prokurori Halling.
“Tiger e përmendi këtë çështje më parë: Drejtoria e Policisë Ushtarake e arsyetoi arrestimin e Deskut dhe Kastratit me faktin se ata ishin në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së, i njohur për shërbimin informativ të UÇK-së si nxitës i luftës speciale dhe iniciator i një lloj policie autonome të Kosovës. Pra, sërish “luftë speciale” dhe “autonomi” — vetëm dy ditë pasi Thaçi i thotë të njëjtat gjëra në një incizim, tani në lidhje të drejtpërdrejtë me krime të kryera në raport me kundërshtarët politikë”, tha ai.
Sipas prokurorit të ZPS-së, mesazhet e Thaçit përbëjnë “kontribut në krimet e akuzuara dhe paraqitja e tij e parë është pjesë e provave që e vërtetojnë këtë”.
“Këto përpjekje duhet të kuptohen edhe në lidhje me mohimet e Thaçit për krimet, si rasti i përmendur dje nga znj. Lawson, ku Thaçi e gënjeu Fred Abrahamin se dy gazetarët serbë të ndaluar dhe të keqtrajtuar kishin pranuar proces të rregullt ligjor. Në parashtresën tonë kjo çështje trajtohet në paragrafët 9-15 deri 9-55. Mënyra se si Hashim Thaçi përpiqet të manipulojë në atë moment tregon pse duhet kujdes në pranimin e dëshmive të dëshmitarëve ndërkombëtarë për rolin e tij në komandë dhe kontroll në UÇK. Ndërkombëtarët nuk e dinin se ai mund të kërkonte dorëzimin e dy të burgosurve dhe t’i merrte nga paraburgimi. Nuk e dinin se ai e riemëroi Ramush Haradinajn si komandant të Zonës së Dukagjinit mbi Tahir Zemajn. Nuk e dinin se ai mund të bënte emërime ushtarake si kjo”, tha Halling.
“Ajo që James Rubin, Wesley Clark dhe disa ndërkombëtarë të tjerë nuk e kuptuan është se gatishmëria e Thaçit për të fshehur atë që po ndodhte ndikoi drejtpërdrejt në aftësinë e tyre për të kuptuar realisht se si funksiononte UÇK-ja. Rubin dhe Clark, në veçanti, tregojnë se nuk kishin interes të thellë për ta kuptuar këtë, duke besuar se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë, pa u përballur me atë që ky trup gjykues tani duhet të vendosë.”










