Shkruan: Burim Gjaka
Në sistemin arsimor të Kosovës, niveli komunal luan rol thelbësor në zbatimin e politikave arsimore dhe garantimin e cilësisë. Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) mbikëqyrin institucionet arsimore dhe funksionimin e tyre sipas standardeve kombëtare (MAShT, 2016). Brenda këtij kuadri, profesionalizmi i drejtorit të arsimit mbetet element kyç, pasi lidershipi dhe kompetenca e tij ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e shkollave dhe suksesin e reformave (Fullan, 2014). Në një realitet ku transparenca dhe depolitizimi janë sfida të vazhdueshme, rëndësia e këtij roli rritet edhe më shumë.
Arsimi nuk është vetëm një e drejtë themelore, por themeli i zhvillimit shoqëror. Për këtë arsye, DKA-të nuk duhet të funksionojnë si zyre administrative formale, por si qendra strategjike që ndërthurin politikat kombëtare me nevojat e shkollave. Cilësia e arsimit fillon me vizion të qartë dhe zbatohet përmes mbështetjes profesionale të vazhdueshme. Ky rol konkretizohet në disa fusha të rëndësishme: zbatimin e politikave kombëtare në nivel lokal, monitorimin e procesit mësimor, menaxhimin e burimeve njerëzore, ofrimin e mbështetjes pedagogjike dhe sigurimin e një sistemi funksional të analizës së të dhënave. DKA-të janë përgjegjëse për vlerësimin e punës së drejtorëve, për analizimin e rezultateve të nxënësve dhe për identifikimin e pikave të dobëta në mësimdhënie. Ato duhet të ndërhyjnë me masa specifike në shkollat me performancë të ulët dhe të kërkojnë llogaridhënie për rezultatet e arritura.
Për më tepër, DKA-të janë institucione kyçe në avancimin e barazisë dhe zhvillimit profesional. Ato duhet të sigurojnë shpërndarje të drejtë të buxhetit dhe burimeve, duke i dhënë prioritet shkollave rurale dhe atyre në nevojë, për të garantuar që çdo nxënës, pa dallim, të ketë qasje në kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore. Këto janë përgjegjësi që ndikojnë drejtpërdrejt në qasjen e nxënësve në një arsim cilësor. Cilësia e arsimit varet drejtpërdrejt nga cilësia e mësimdhënësve dhe nga qasja e drejtë në burime financiare, e kjo arrihet me zhvillim profesional ku në vend të trajnimeve të përgjithshme, duhet që plani për zhvillim profesional të mësimdhënësve të jetë i synuar dhe i bazuar në analiza të qarta të nevojave, duke shmangur trajnimet e përgjithshme dhe joefektive. Mbledhja sistematike e të dhënave dhe interpretimi i tyre është themelor në drejtimin e politikave komunale. Poashtu DKA-të duhet t`i kushtojnë shumë rëndësi parimit të inkluzivitetit, e kjo përfshin sigurimin e numrit të duhur të asistentëve, logopedëve dhe përshtatjen e nevojshme të shkollave për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Në qendër të të gjitha këtyre proceseve qëndron figura e drejtorit të DKA-së, roli i të cilit është përcaktues për funksionimin e të gjithë sistemit lokal arsimor. Kjo pozitë nuk duhet të jetë shpërblim politik, por një detyrë profesionale që kërkon përvojë të dëshmuar, integritet dhe njohuri të thella të sistemit arsimor. Drejtori i DKA-së duhet të mishërojë lidership profesional dhe etik, të demonstrojë paanshmëri dhe të jetë shembull në mbrojtjen e interesit publik. Fullan (2014) thekson se sistemet arsimore të suksesshme udhëhiqen nga liderë me vizion, integritet dhe aftësi për të frymëzuar ndryshim — një standard ky që duhet të jetë minimal për çdo drejtor komunal në Kosovë.
Drejtori profesional duhet të zotërojë kompetenca të gjera teknike: njohjen e legjislacionit arsimor, menaxhimit strategjik, standardeve të sigurimit të cilësisë, si dhe të modeleve bashkëkohore të zhvillimit të mësimdhënësve. Ai duhet të jetë i aftë të analizojë të dhënat arsimore, të identifikojë trendet e rrezikshme dhe të nxisë ndërhyrje të shpejta dhe të bazuara në hulumtim dhe në evidencë. Përveç aspektit teknik, drejtori duhet të posedojë edhe përvojë reale në terren, si mësimdhënës apo drejtues shkolle, për të kuptuar sfidat që përjetohen në klasë dhe për të marrë vendime të zbatueshme dhe të arsyeshme. Njohja e terrenit është parakusht për të hartuar politika të drejta dhe për të fituar besimin e mësuesve dhe drejtorëve.
Në proceset e rekrutimit dhe vlerësimit, drejtori profesionist duhet të garantojë transparencë të plotë. Darling-Hammond (2000) argumenton se punësimet e bazuara në meritë janë ndër faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në cilësinë e nxënies. Në Kosovë, raportet e organizatave monitoruese nënvizojnë rregullisht se proceset e politizuara të rekrutimit dëmtojnë seriozisht funksionimin e shkollave. Drejtori i DKA-së duhet jo vetëm t’i shmangë këto praktika, por t’i kundërshtojë hapur, duke promovuar një kulturë profesionale ku merita dhe cilësia janë kriteret e vetme.
Një drejtor i aftë ka autoritet profesional që nuk buron nga pozita, por nga ekspertiza. Ai është në gjendje të formulojë një vizion afatgjatë arsimor të komunës dhe të sigurojë që vendimmarrja të udhëhiqet nga të dhënat pedagogjike dhe jo nga interesat politike të momentit. Përkundrazi, një drejtor pa përvojë e sheh cilësinë në mënyrë sipërfaqësore, duke vënë theksin te infrastruktura apo iniciativat simbolike, ndërsa lë pas dore elementet më thelbësore si kurrikula, metodologjia, mirëqenia e nxënësve dhe zhvillimi profesional. Vendimmarrja e tillë nxit punësime jomeritore, rrit presionin politik dhe e dëmton të gjithë zinxhirin e performancës së shkollës.
Drejtori i DKA-së është dhe duhet të jetë rol i udhëheqjes arsimore, jo i administrimit formal. Cilësia e shkollave nuk mund të ngrihet pa profesionalizëm në krye të drejtorisë, pa njohje të thellë të pedagogjisë dhe pa vizion që e vendos nxënësin në qendër. Prandaj, drejtorët profesionistë janë faktor kyç për ushtrimin e llogaridhënies, menaxhimin e burimeve dhe zbatimin real të politikave.
Efektiviteti i DKA-ve në ngritjen e cilësisë është drejtpërdrejt i lidhur me profesionalizmin e drejtuesve të tyre. Lidershipi etik, kompetenca profesionale dhe njohja e thellë e realitetit shkollor janë parakushte të zhvillimit të qëndrueshëm. Nëse Kosova synon arsim cilësor që i përgatit nxënësit për sfidat globale të shekullit XXI, atëherë vendimmarrja arsimore duhet t’u besohet profesionistëve.
Në këtë kuadër, DKA-të duhet të shndërrohen në liderë pedagogjikë, në mbrojtës të nxënësve dhe në garantues të barazisë dhe inkluzivitetit. Vetëm kur MASHT-i dhe DKA-të të jenë aktive, proaktive dhe të orientuara plotësisht drejt procesit mësimor, potenciali i shkollave do të zhbllokohet dhe cilësia e arsimit në vend do të nisë të ngrihet realisht.











