Roja i shkollës “Meto Bajraktari” dyshohet se u dërgonte nxënësve foto e video pornografike

Roja i shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, dyshohet se u dërgonte nxënësve foto e video pornografike. Ky punëtor sigurimi, i cili kishte punuar për dy-tre muaj në këtë shkollë, shumë shpejtë u bë pjesë e grupeve të rrjeteve sociale si Snapchat, aty ku dhjetëra adoleshentë komunikonin mes vete.

E sipas Policisë, materiali pornografik te viktimat është dërguar me mesazh telefonik SMS.

Siç mësoi Kiks Kosova, ai dyshohet se fëmijëve të klasave të 7-ta, 8-ta e të 9-ta u dërgonte foto e video të këmbëve të tij gjysmë të zhveshura, si dhe trupa vajzash të huaja, të ekspozuara në pjesën e gjoksit.

Për këto veprime që dyshohet se i bëri, më 10 mars të këtij viti rojtari Musa Rama u arrestua nga Policia e Kosovës.

Me të marr vesh për këtë rast, Kiks Kosova u nis drejt e te shkolla.

Rojën Musa, nxënësit e njihnin fort mirë. Rrethin e kishte zgjeruar shumë e sa herë që e përdornin snapin, i njëjti vazhdimisht insistonte të ishte pjesë e shoqërisë së tyre në këtë rrjet social.

Kjo temë që u bisedua me nxënës në koridor të shkollës, nuk i pëlqeu një profesoreshe.

Për disa nxënës ish punëtori i sigurimit ishte njeri i mirë, pasi ai ua mbante telefonat e cigaret sa herë që donin t’i fshihnin prej profesorëve. Ndërkaq, se u ka dërguar foto e video të rriturish, disa adoleshentë asessesi nuk e pranuan.

Por disa vajza të klasave të nënta e thanë krejt të kundërtën.

“Burri më i mirë i shkollës”, sic e quanin disa prej nxënësve, thanë se atyre u kishte dërguar pamje pornografike e video ku shiheshin substanca narkotike e thika.

Ndërkaq, sic thoshin nxënëset, fotot pornografike që ua dërgonte sigurimi nuk i përkisnin vajzave të shkollës, por ishin të huaja.

Sipas tyre, shumicën e kohës roja ishte i alkoolizuar dhe tërë natën u dërgonte video duke pirë.

Madje, një 15 vjeçare tregon se roja ia kishte kërkuar numrin e telefonit.

Prindërit e nxënësve thanë se ishin frikësuar kur morën vesh se çfarë kishte ndodhur në shkollë. Madje, ndaj drejtoreshës kanë hedhur akuza se e njëjta po i fsheh rastet e dhunës dhe nuk po merr masa për nxënësit problematikë.