Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka komentuar letrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku vendet e BE-së thanë se nuk do të takohen me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në zyrën e tij.
Rohde tha se është gjithmonë mirë të ketë komunikime të drejtpërdrejta, teksa tha se kjo është politikë e BE-së dhe se arsyeja e kësaj politike është thënë në letrën e BE-së.
“Është një politikë e BE-së. U tha qartë në letër pse është kjo arsye, ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Supreme, ju e keni Kushtetutën tuaj”, tha Rohde në Rubikon në Klan Kosova.
Ai foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nacionale, duke thënë se Kosova nuk do të ishte vendi i vetëm që mund të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Nëse nuk mund ta zgjidhni problemin, zgjedhjet mund të jenë zgjidhje e fundit. Ndoshta pyetja edhe për qytetarët është se aktorët politikë nuk mund ta gjejnë mënyrën për të arritur te kjo çështje”.
“Nëse çdo kush e sheh këtë si rrugëdalje, duhet ta gjejnë një kompromis. Nëse nuk mund të pajtoheni për formimin e institucioneve që do të mundësonin zgjedhjet e parakohshme, parlamentin, kryetarin e kuvendit, nënkryetarët, atëherë për këtë arsye jemi në situatën në të cilën gjendemi tani”, tha Rohde.
Rohde foli edhe për masat që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, ku tha se pozita e Gjermanisë është që masat duhet të hiqen pasi sipas tij, ato kanë targetuar njerëzit e gabuar.
“Pozita jonë është që masat duhet të hiqen sepse ato i kanë targetuar njerëzit e gabuar. S’po hiqen për shkak se janë disa vende në BE që janë skeptike. Ato është dashur të hiqen vitin e kaluar dhe disa ka pasur disa masa kundër institucioneve”, tha ai.
Rohde: Duam anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por pa qeveri mund t’iu ikë autobusi