Rohde shijon kafenë në rreze të diellit në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, ambasada lavdëron kulturën e kafesë në Kosovë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shijuar një kafe nën rrezet e diellit në rrugën në mes Prishtinës dhe Mitrovicës.

Ambasada gjermane, që shpërndau një fotografi të Rohdes, lavdëroi kulturën e kafesë në Kosovë dhe tha se ajo forcon lidhjet mes njerëzve.

“Në rrugën ndërmjet Prishtinës dhe Mitrovicës, ambasadori ndaloi një moment për të shijuar një filxhan kafeje nën rrezet e diellit. Duke festuar kulturën e pasur të kafesë në Kosovë, çdo gllënjkë është një dëshmi e ngrohtësisë dhe mikpritjes lokale. Kafeja e mirë i lidh njerëzit dhe janë këto momente të përditshme që me të vërtetë forcojnë lidhjet mes njerëzve”, shkroi ambasada.

Në një përgjigje të një komentuesi që tha: “Shpresoj që të ndiheni si në shtëpinë tuaj”, ambasada theksoi se “Kosova ka qenë shtëpia e ambasadorit Rohde që nga vera e vitit 2020, duke e bërë atë ambasadorin gjerman me shërbimin më të gjatë në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë së saj”.