Të mërkurën mbrëma, Real Madridi u mposht nga Benfica 4-2 në ndeshjen e tetë dhe të fundit të fazës së ligës në Champions League, pavarësisht dopietës së Kylian Mbappé. Një humbje e rëndë që i la “Los Blancos” jashtë top-8, duke i detyruar të kalojnë nga “play off”-et për të vazhduar rrugëtimin europian.
Ndeshja u shënjua edhe nga tensioni i madh; Reali e mbylli takimin 9 kundër 11. Mes protagonistëve negativë ishte Rodrygo, i përjashtuar në minutën e 96-të për protesta, pasi mori dy kartonë të verdhë brenda një minute. Braziliani kishte hyrë nga stoli kur rezultati ishte 3-2 dhe u largua i tërbuar nga fusha, pak para golit vendimtar të portierit Trubin.
Më pas, Rodrygo kërkoi falje në rrjetet sociale: “E lejova veten të më rrëmbenin emocionet duke protestuar për humbje kohe. Nuk është mënyra ime e sjelljes. Nuk isha përjashtuar kurrë me Real Madridin dhe i kuptoj pasojat. Iu kërkoj ndjesë tifozëve, klubit dhe trajnerit. Do të qëndrojmë të bashkuar dhe do të vazhdojmë të luftojmë për fanellën dhe këtë Champions League”.
Rodrygo do të mungojë në ndeshjen e parë të “play off”-it, ku Reali do të përballet me Bodø/Glimt ose Benfica.
The post Rodrygo kërkon falje për kartonin e kuq: S’më kishte ndodhur kurrë me Realin, i kuptoj pasojat appeared first on Telesport.










