Shtrenjtimi prej 15 për qind i tarifave të energjisë elektrike, ka ngjallur pakënaqësi të mëdha tek qytetarët, e kjo u përcoll edhe me protesta që u mbajt në kryeqytet të shtunën e kaluar.
Mbi vendimin nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë i cili pritet të merret të premten, më 11 prill, sot ka folur edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas Rizvanollit, Zyrës së Rregullatorit i kanë propozuar që të mos ketë rritje të çmimit, për konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kilovat për orë në muaj, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë, rritja të jetë sa më e vogël.
”Në këtë mënyrë të mos trajtohet njëjtë për shembull, sikurse dikush që shpenzon 1000kWh në muaj, sikurse dikush që shpenzon 3000 kWh në muaj. Në këtë mënyrë ne mbrojmë familjet sa më shumë që të jetë e mundur pa e cenuar sigurinë e furnizimit dhe veçanërisht mbrojmë ata të cilët kanë nevojë më së shumti”, deklaroi ajo.