Rizvanolli: Angazhim maksimal për rikthimin në funksion të njësive të KEK-ut

Ministrja në detyrë e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se aktualisht tri njësi të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), B1, A4 dhe A5, janë duke operuar, ndërsa ekipet teknike po punojnë me tri ndërrime, 24 orë në ditë, për rikthimin e njësive B2 dhe A3 në operim.

“Nga menaxhmenti u njoftova që dy njësitë, B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes së nesërme”, tha Rizvanolli, duke theksuar rëndësinë e funksionimit me të paktën 5 blloqe gjatë periudhës së ftohtë, kur kërkesa për energji është e lartë.

Ajo vlerësoi angazhimin e punonjësve dhe menaxhmentit të KEK-ut, duke thënë se tri njësitë e TC Kosova A kanë operuar njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori, krahasuar me 25 vitet e fundit kur KEK ka punuar me 5 njësi vetëm për 55 ditë në total.