Rita Ora ishte një nga të ftuarat speciale në ngjarjen ekskluzive që organizoi Miley Cyrus në Chateau Marmont të Los Angeles, për promovimin e albumit të saj të ri Something Beautiful.
Këngëtarja shqiptaro-britanike, 34 vjeçe, tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj të guximshme dhe stilin e veçantë. Ajo kishte zgjedhur një fustan me dizajn gjarpri, të kombinuar me çizme deri në gju dhe një pallto kadifeje në stil trench.
Një prerje elegante në pjesën e përparme të fustanit zbulonte linjat e saj, ndërsa aksesorët e artë, përfshirë një varëse zinxhir, i jepnin një prekje luksoze pamjes së saj, shkruan DailyMail.
Flokët kaçurrela i kishte lënë të lira me volum, ndërsa grimi i saj theksohej nga toni glamuroz me eyeliner të theksuar dhe ngjyra të buta që i jepnin fytyrës shkëlqim.
Në mesin e të ftuarve ndodhej edhe aktorja e njohur Anya Taylor-Joy, e cila u pa jashtë ambientit me një xhaketë me gëzof të bardhë, të veshur mbi një bluzë të zezë dhe pantallona të njëjta. Ajo kishte zgjedhur një stil më klasik, me flokët e lidhur topuz dhe grimin minimalist, ndërsa në krah kishte bashkëshortin e saj, Malcolm McRae. Çifti u fotografua duke qëndruar afër njëri-tjetrit në një nga ambientet e ngrohta të eventit.
Pjesëmarrës surprizë ishte edhe legjenda e rock-ut, Bono nga grupi U2, i cili u pa duke lënë ngjarjen me syzet e tij të njohura me xham të errët.
Ngjarja vjen në të njëjtën ditë kur Miley Cyrus publikoi fotografi të reja në Instagram në kuadër të promovimit të albumit të saj të nëntë Something Beautiful. Në postim, ajo lajmëroi gjithashtu këngën e re “Easy Lover”, e cila publikohet më 30 maj bashkë me albumin.
Albumi i ri po merr vlerësime pozitive nga kritika. Sipas Associated Press: “Gjatë viteve, fituesja e çmimit Grammy ka dëshmuar se është padyshim një yll i muzikës pop. Ajo është gjithashtu një studiuese e përkushtuar e historisë së muzikës moderne dhe e shumë zhanreve të saj, gjë që e ka dëshmuar me interpretimet e saj të këngëve të njohura dhe përmes diskografisë së larmishme – përfshirë albumin e saj të vitit 2020 me frymëzim glam rock, Plastic Hearts”.