Rita Ora, Jessica Alba dhe Ana de Armas ishin mes të ftuarve më glamurozë që parakaluan në tapetin e kuq të natës së dytë të edicionit të pestë të Red Sea International Film Festival, të premten në Jeddah të Aranisë Saudite.
Gjatë ngjarjes Women In Cinema, këngëtarja 35-vjeçare u shoqërua nga një numër i madh figurash të njohura, në një mbrëmje të mbushur me yje, shkruan DailyMail.
Rita mahniti të pranishmit e veshur me një fustan ngjyrë gri të çelët, gjysmë transparent dhe me prerje “fishtail”, i cili kishte një dekolte jashtë shpatullave dhe mëngë të valëzuara prej dantelle.
Ajo e kombinoi veshjen me një ‘choker’ elegant në të njëjtën nuancë dhe me flokë të krehura prapa fytyrës në një stil të lëmuar.
Ndërkohë, Jessica, 44 vjeçe, kishte zgjedhur një fustan të bukur ngjyrë vjollcë me prerje pa shpatulla, ndërsa Ana, 37 vjeçe, u shfaq me një fustan me shkëlqim dhe jakë të lartë.
Në tapetin e kuq u shfaqën gjithashtu shumë emra të tjerë të njohur si Kirsten Dunst, Dakota Johnson dhe Naomie Harris, duke i dhënë mbrëmjes një shkëlqim të veçantë.
Edicioni i këtij viti vë sërish në qendër kinemanë botërore, me një fokus të guximshëm te regjisorët arabë dhe talentet e rajonit.
Të ftuar nga mbarë bota u mblodhën në Sheshin Kulturor të lagjes historike Al-Balad në Jedah për të shënuar temën e festivalit për vitin 2025: For the Love of Cinema.
Kirsten Dunst dukej elegante si gjithmonë me një fustan të zi të thjeshtë e klasik dhe taka stiletto.
Dakota Johnson kishte zgjedhur gjithashtu një paraqitje tërësisht të zezë, me një fustan saten të kombinuar me bizhuteri të guximshme dhe të mëdha.
Naomie Harris shkëlqeu me një fustan dyngjyrësh pa rripa, ndërsa flokët i kishte të mbledhura në një stil të lartë glamuroz.
Nata e parë e festivalit, e mbajtur të enjten, shënoi edhe premierën botërore të filmit “Giant”, dramë biografike me ritëm të lartë që rrëfen historinë e legjendës britanike të boksit, Prince Naseem Hamed.
Filmi, i regjisorit Rowan Athale, ka në role kryesore Amir El-Masry si “Naz” dhe Pierce Brosnan si trajneri i tij i famshëm irlandez, Brendan Ingle.
Më vonë gjatë mbrëmjes, Rita Ora foli për fuqizimin e grave në industrinë e filmit dhe muzikës, duke theksuar se vazhdon të mësojë dhe të tejkalojë kufij.
Gjatë eventit Women In Cinema, këngëtarja i tha DailyMail se ajo është “gjithmonë në proces të të mësuarit” dhe se po vazhdon të “thyejë barriera”.
Gjatë performancës së saj në skenë, Rita u shfaq mahnitëse në një kreacion të veçantë të Ellie Saab, me një bust delikat me motive lulesh dhe një fund të fryrë në stilin “puff ball”.
Duke shpjeguar pse nuk dëshiron të kufizohet vetëm në muzikë, Rita tha: “Shumë gra e vendosin veten në një kategori të vetme, por nuk ka pse të jetë kështu. Unë e shoh veten si një amatere çdo ditë, sepse po mësoj vazhdimisht. Nuk duhet të futesh kurrë në një dhomë duke menduar se nuk ke fuqi, sepse e ke”.
Ajo shtoi se figura e parë femërore që i shërben si frymëzim është nëna e saj, por përmendi edhe ikona si Madonna, Blondie dhe Cher: “Ato janë gra që kanë bërë më shumë se një gjë – dhe kjo më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Është e jashtëzakonshme të shohësh barriera që thyhen”.
Më tej ajo theksoi: “Ka kaq shumë tema që i kemi parë si gra – nga paga e barabartë te ngurrimi për të folur hapur për menopauzën – gjëra që shpesh na ngarkojnë. Është e çuditshme pse ende diskutohen këto, kur gratë janë në të njëjtën dhomë duke mbështetur njëra-tjetrën. Duhet të jetë diçka e natyrshme dhe normale”.




















