Ristrukturim i Lufthansa – 50 linja ajrore do të hiqen për të ulur kostot

Kompania ajrore, Lufthansa njoftoi se do të heqë disa fluturime në Gjermani dhe Evropë në orarin e verës për vitin 2026, për të ulur kostot.

Sipas orarit që do të fillojë më 29 mars 2026, Lufthansa nuk do të fluturojë më midis Frankfurtit dhe Toulouse, as midis Mynihut dhe Tallinnit. Ata gjithashtu njoftuan anulimin e fluturimeve midis Mynihut dhe Oviedos.

Lufthansa do të ofrojë gjithashtu më pak fluturime brenda vendit drejt nyjeve kryesore në Mynih dhe Frankfurt, duke theksuar se për shkak të taksave të larta dhe tarifave të tjera, do të heqin rreth 50 linja.

Grupi në tërësi pritet të ofrojë vitin e ardhshëm 14 mijë fluturime në javë për 330 destinacione në rreth njëqind vende, raportojnë mediat.

Përveç transportuesit me emër të njëjtë, grupi përfshin edhe Brussels Airlines, Austrian Airlines dhe SWISS.

Shefi i departamentit të personelit të Lufthansa-s konfirmoi javën e kaluar se po rishikojnë planin për lidhje të reja brenda vendit me nyjet në Frankfurt dhe Mynih, pasi ato do të funksiononin me humbje, duke i bërë thirrje qeverisë në Berlin të angazhohet për konkurrencë të ndershme në nivel evropian dhe të marrë parasysh rëndësinë strategjike të aviacionit në konkurrencën globale.

Sektori ankohet për taksat shtetërore, të cilat, sipas tyre, janë dyfishuar që nga viti 2019, duke rritur ndjeshëm çmimet e biletave dhe duke zbehur kërkesën.

“Gjermania është sëmundja e Evropës kur bëhet fjalë për aviacionin”, tha javën e kaluar kreu i Shoqatës së Kompanive Ajrore (BDF), Peter Gerber, dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë ajrore Condor, në një takim në aeroportin e Frankfurtit.

Ai u ankua gjithashtu për tarifat e larta për kontrollin e trafikut ajror, duke theksuar se ato mund të ulen deri në 30 për qind nëse shteti merr përsipër kostot e kontrollit të fluturimeve të aeroplanëve ushtarakë.