Rinumërimi rrezikon krijimin e institucioneve të reja

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e plotë të votave të hedhura më 28 dhjetor po hap një kapitull të ri paszgjedhor, por njëkohësisht po shton shqetësimet për zvarritjen e krijimit të institucioneve të reja të vendit.

Procesi i rinumërimit po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe, sipas zyrtarëve të KQZ-së, pritet të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë, me afat orientues deri më 1 shkurt.

Vendimi për rinumërim të plotë erdhi pasi rinumërimi i rreth një të tretës së vendvotimeve nxori dallime të mëdha, nga qindra deri në mijëra vota për kandidatë brenda të njëjtave subjekte politike.

Megjithëse rinumërimi shihet si proces i domosdoshëm për garantimin e integritetit të votës, zgjatja e tij po rrezikon drejtpërdrejt afatet kushtetuese dhe politike, raporton Paparaci.

Çdo vonesë në certifikimin e rezultateve nënkupton vonesë në konstituimin e Kuvendit të ri, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Situata bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se Kuvendi i ardhshëm ka detyra urgjente përpara.

Në të njëjtën kohë, zgjedhja e presidentit duhet të ndodhë para përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani në prill, çka lë një hapësirë kohore shumë të ngushtë.

Sipas vlerësimeve, pas përfundimit të rinumërimit, institucionet do të kenë rreth një muaj kohë për të konstituar Kuvendin, formuar qeverinë dhe zgjedhur presidentin, një afat që shihet si tejet i shkurtër për një proces kaq të ndërlikuar politik.

Në këtë kontekst, rinumërimi i plotë, ndonëse i rëndësishëm për transparencën zgjedhore, po shndërrohet në një faktor rreziku për stabilitetin institucional, në një moment kur vendi nuk ka luksin e vonesave të gjata.

Rinumërim i të gjitha votave të 28 dhjetorit

KQZ e miratoi këtë vendim në mbledhjen e së hënës (19.01.2026), pas evidentimit të dallimeve të mëdha gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave.

Fillimisht, rinumërimi ishte paraparë të zhvillohej vetëm në 10 për qind të vendvotimeve në 28 komuna dhe në mënyrë të plotë në 10 komuna të tjera.

Megjithatë, devijimet e zbuluara në këtë fazë, nga qindra deri në mijëra vota për kandidatë brenda të njëjtave subjekte politike, e shtynë KQZ-në të marrë vendim për rinumërim të plotë në të gjithë vendin.

Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dallimet më të mëdha janë vërejtur në Komunën e Prizrenit, ku është vendosur edhe shkarkimi i përfaqësuesve politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor.

Hetime në shkallë të gjerë

Paralelisht me rinumërimin, institucionet e drejtësisë kanë nisur veprime konkrete.

Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive themelore që të fillojnë hetime në 20 komunat ku rinumërimi ka përfunduar.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka kërkuar grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante për keqpërdorime të dyshuara në procesin zgjedhor, si në komunat ku rinumërimi ka përfunduar, ashtu edhe në ato ku procesi është ende në zhvillim.

“Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që “menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme.”

Prokurori i Shtetit tha se do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve dhe “do të hetojë çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”./Paparaci