Rinumërimi pritet t’i shtyjë afatet: Vonohet edhe krijimi i institucioneve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar rinumërimi, pas vendimit të KQZ-së, lidhur me dyshimet se ka pasur dallavere me votat e kandidatëve për deputetë.

Deri më tash, janë rinumëruar pak vendvotime, dhe gjithë procesi pritet të shkojë deri në 14 ditë, çka e shtynë dukshëm procesin, përfshirë edhe krijimin e institucioneve.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ mori vendim që të rinumërohen. Pra, KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen 914 vendvotime nga 2,557 në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025. Në QNR numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi. Numërimi i 914 vendvotimeve, që përbënë 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.

Elezi sqaroi se rinumërimi nuk do të zhvillohet në të njëjtën masë në të gjitha komunat e vendit, pasi vendimi i KQZ-së parasheh qasje të ndryshme në varësi të komunës.

“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)”, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, vendimi për rinumërim është marrë pas identifikimit të mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë në disa vendvotime.

“Ky vendim i KQZ-së vjen pas gjetjeve nga verifkimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulon se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, tha ai.

Elezi shtoi se qëllimi kryesor i këtij procesi është ruajtja e besueshmërisë së zgjedhjeve dhe garantimi i vullnetit të qytetarëve.

Në anën tjetër, shoqëria civile dje ka kërkuar rinumërim të plotë, pasi ka dyshime të bazuara që rezultatet e kandidatëve për deputetë janë manipuluar.

“Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore. Përkundër vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi dhe për rinumërimin e 100% të vendvotimeve në 10 komuna ku është vërejtur devijim i theksuar i rezultatave (Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug), e që në total përbëjnë afër 36% të vendvotimeve në Kosovë, DnV vlerëson që kjo masë është e pamjaftueshme. Rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka paralajmëruar se vonesat në certifikimin e rezultateve zgjedhore mund ta çojnë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kjo për shkak të rrezikut për moszgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues.

Cakolli tha se nëse rezultatet nuk certifikohen me kohë dhe vendi mbetet pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri, atëherë ekziston mundësia reale që të shpallen zgjedhje të reja.

“Rreziku është që të hyjmë në muajin shkurt ose mars pa pasur rezultate të certifikuara dhe kjo mund të na nxjerrë jashtë afatit për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Cakolli në Tëvë1.

Ai theksoi se nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, atëherë Kushtetuta e parasheh shpalljen automatike të zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht nëse Kuvendi është konstituuar apo nëse është zgjedhur Qeveria.

“Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në afatin kushtetues, automatikisht shpallen zgjedhje të reja parlamentare”, u shpreh ai.