Rinumërimi në Podujevë, Ejup Maqedonci i VV-së “përfituesi” më i madh nga manipulimi

Rinumërimi i votave të 28 dhjetorit për komunën e Podujevës është duke vazhduar në Qendrën për Numërim dhe Rezultateve. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 23:00 janë rinumëruar 55% e vendvotimeve apo 61 nga 110.

Manipulimi me vota brenda listave të kandidatëve për deputetë, sipas platformës së KQZ-së është i theksuar edhe në këtë komunë, veçanërisht brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Deri në këtë pikë të rinumërimit, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka “përfituar” më së shumti nga skema e manipulimit.

Të dhënat e KQZ-së tregojnë se gjatë procesit të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Podujevë atij i janë shtuar 413 vota.

394 vota i janë shtuar edhe Vendenis Lahut të Vetëvendosjes e 241 vota, Adelina Stubllës.

Në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, 173 vota përmes manipulimit i janë shtuar Ditjona Statovcit.

Procesi i rinumërimit, sipas KQZ-së pritet të përmbyllet brenda këtij muaji.