Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën mori vendim për rinumërimin e plotë të votave të 28 dhjetorit.
Krahas 914 vendvotimeve, pas vendimit të 196 janarit pritet të rinumërohen edhe 1, 947 vendvotimet e tjera.
“Duke u mbështetur në dy vendimet e KQZ-së (13 dhe 19 janar 2026) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rinumërimi do të përfshijë të gjitha vendvotimet, 2,557 sosh, në të cilat më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar votimi i rregullt. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 19 janar 2026, ora 16:00) në QNR janë rinumëruar 610 vendvotime. Pra, gjatë ditëve në vazhdim, në përgjithësi do të rinumërohen 1,947 vendvotime”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Procesi po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve derisa, Elezi shton se mund të marrë kohë 12 – 14 ditë.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është shtuar numri i ekipeve të numërimit. Aktualisht, janë 38 ekipe të tilla vetëm gjatë një ndërrimi pune, pra 76 gjithsej. I gjithë procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve / kutive të votimit, mund të zgjasë nga 12 – 14 ditë”, tha ai.
Në mbledhjen e së hënës, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej rinumërimi i plotë në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve nxori dallime prej qindra deri në mijëra vota për kandidatët brenda subjekteve politike. Kësisoj, KQZ vendosi sot në një mbledhje për rinumërim të plotë të të gjitha votave.










