Siç ka raportuar vazhdimisht gazeta “MARCA”, gjatë muajve të fundit, Inter Miami dhe Lionel Messi janë ende në negociata për rinovimin e kontratës, e cila skadon në fund të vitit 2025.
Aktualisht, nuk ka asgjë të firmosur apo zyrtarizuar, por qëllimet janë të qarta. Dëshira e Messit është të vazhdojë të luajë në Miami jo vetëm për të fituar trofe me klubin, por edhe për të qenë në formë të plotë për Kupën e Botës 2026, që do të ishte e gjashta në karrierë për të. Një rekord absolut në historinë e futbollit (aktualisht janë 8 lojtarë me nag 5 pjesëmarrje në Kupa Bote, përfshirë Cristiano Ronaldon).
Nga ana e tyre, drejtuesit e Inter Miami po përgatiten t’i ofrojnë Messit një kontratë si lojtar për të paktën edhe tri vite të tjera, deri më 2028, me mundësi shtyrjeje edhe më tej, nëse ai dëshiron të luajë edhe në moshën 41-vjeçare. Kjo është pista që po diskutohet brenda zyrave të klubit në qendër të Miami.
Thelbi i marrëveshjes është se të dyja palët duan ta vazhdojnë bashkëpunimin, ndaj gjithçka do të varet nga vullneti dhe gjendja fizike e vetë Messit. Numri i viteve të kontratës është më shumë formalitet, çfarë po ofrohet është një marrëveshje fleksibël afatgjatë (3, 4 apo 5 vjet), që Messi të luajë sa kohë të ndiejë dëshirë dhe të ketë mundësi.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Leo mund të kalojë në një tjetër rol brenda klubit, megjithëse kjo do të sjellë një “garë” me Barcelonën, që gjithashtu e dëshiron rikthimin e tij. Duhet theksuar se Messi është edhe aksionar tek Inter Miami (ka aksione të klubit që nga kontrata e parë), ndaj është në fakt një nga pronarët e tij, çka e bën më pak të rëndësishme çështjen e viteve të kontratës në kuptimin tradicional të fjalës.
Inter Miami dhe Messi janë në kërkim të formulave që i lejojnë 8 herë fituesit të “Topit të Artë” ta zgjasë ose ta ndërpresë kontratën në mënyrë të lirë, sipas dëshirës së tij, siç ka deklaruar edhe vetë disa herë.
Përpara tij qëndrojnë sfida të rëndësishme: “Leagues Cup” (që e fitoi më 2023), MLS (ende nuk e ka fituar kampionatin, por mori ‘Supporters’ Shield’), “ConcaChampions” dhe mbi të gjitha, Botërorin 2026 me Argjentinën.
The post Rinovimi i Messit / Inter Miami i ofron kontratë afatgjatë, deri kur… të dojë vetë Leo appeared first on Telesport.