Rilicensimi i mësimdhënësve: reformë për cilësi apo një “teatër” formal burokratik?

Shkruan: Burim Gjaka

Procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, i rregulluar përmes Udhëzimit Administrativ (MASHTI) Nr. 15/2023, është prezantuar si një shtyllë jetike për reformimin e sistemit arsimor në Kosovë. Në letër, ky dokument synon të rrisë llogaridhënien, të nxisë zhvillimin profesional dhe të shërbejë si bazë meritokracie për rilicensim. Mirëpo, sapo ky Udhëzim ka zbritur nga zyrat e Ministrisë në korridoret e shkollave, kanë shpërthyer dilemat e para: a është ky një mekanizëm i mirëfilltë për matjen e cilësisë, apo thjesht një proces i radhës administrativ që konsumon kohë dhe energji pa prodhuar rezultat?

Në këtë shkrim do të merremi me vlerësimin e brendshëm të performancës si parakusht për rilicensim, duke analizuar hendekun mes ambicies së dokumentit dhe realitetit të klasës.

Roli i institucioneve: Koordinim apo izolim?

MASHTI pozicionohet si autoriteti suprem, por shfaq një shpërputhje të dukshme mes kompetencës formale dhe përgjegjësisë praktike. Ministria ka hartuar një kornizë që kërkon llogaridhënie absolute, por dështon të ofrojë mbështetjen logjistike. Pa një fushatë të gjerë trajnimi për vlerësuesit ( Ekipet brenda shkollave) dhe pa takime të mirëfillta, informuese me mësimdhënësit, MASHTI shfaqet më shumë si një “vëzhgues-ndëshkues” sesa si partner zhvillimor.

Në këtë zinxhir institucional, edhe Inspektorati i Arsimit mbetet i kufizuar në veprim për shkak të kapaciteteve njerëzore të pamjaftueshme. Numri i vogël i inspektorëve, i kombinuar me një mandat të gjerë mbikëqyrës të përcaktuar nga MASHTI, e bën praktikisht të pamundur monitorimin cilësor dhe të vazhdueshëm të procesit të vlerësimit të brendshëm të mësimdhënësve për rilicencim, në tërë vendin, duke e ekspozuar edhe një herë mungesën e planifikimit realist të niveit qendror, ku punë kërkohet shumë ndërsa numri i inspektorëve mbetet minimal.
UA 15/2023 i ngarkon Drejtorive Komunale të Arsimit rol aktiv mentorues dhe planifikues në procesin e vlerësimit të performances, përfshirë mbështetjen e drejtorëve, themelimin e ekipeve komunale, analizën e rezultateve dhe hartimin e planeve komunale të zhvillimit profesional , por në shumë komuna këto funksione mbeten të pazbatuara si duhet, duke e kufizuar rolin e DKA-ve në formalizëm, jo në zhvillim real.

Shkollat e vogla dhe paradoksi i drejtorëve

Në shkollat rurale dhe ato me numër të vogël nxënësish, Udhëzimi Administrativ shndërrohet në një instrument pothuajse të pazbatueshëm. Në institucionet ku ekziston vetëm një mësimdhënës për fushë, koncepti i vlerësimit kolegial mbetet thjesht teorik. Mungesa e Koordinatorëve të Cilësisë në shkollat me më pak se 150 nxënës e lë drejtorin të vetëm përballë një ngarkese disproporcionale administrative, duke e zhvendosur rolin e tij nga udhëheqja pedagogjike në menaxhim dokumentesh.

Ky kontekst prodhon një paradoks institucional: drejtori vlerëson mësimdhënësit për rilicensim si hapje rruge për avancim në karierë për rritje page, ndërkohë që vetë drejtori përjashtohet nga e drejta për rilicensim dhe avancim profesional. Si pasojë, krijohet një situatë ku mësimdhënësi mund të përfitojë paga më të larta se eprori i tij, duke minuar motivimin dhe autoritetin e lidershipit shkollor. Analiza e neneve 10 dhe 11 të U.A 15/2023, dëshmon se procesi mbështetet kryesisht në dokumentacion formal, duke anashkaluar kapacitetet njerëzore dhe realitetin specifik të shkollave të vogla.

Sfidat e mësimdhënësve: Mes “gjuetisë” së certifikatave dhe stresit administrativ

Për mësimdhënësin, procesi i vlerësimit është shndërruar në një garë të lodhshme me burokracinë. Sfida kryesore nuk është më përmirësimi i praktikës mësimore, por sigurimi i certifikatave të nevojshme për përmbushjen e kritereve ligjore. Në mungesë të trajnimeve publike dhe falas, mësimdhënësit detyrohen t’i financojnë ato privatisht, duke e kthyer rilicensimin nga proces zhvillimor në barrë financiare individuale.

Për më tepër, ky mekanizëm gjeneron stres të vazhdueshëm profesional, i cili pengon kreativitetin dhe reflektimin pedagogjik. Në vend që fokusi të jetë nxënësi, koha dhe energjia shpenzohen në përgatitjen e dosjeve voluminoze, të cilat shpesh reduktohen në ushtrime formale “copy-paste”. Pa mentorim real dhe mbështetje institucionale, vlerësimi përjetohet si një ritual administrativ, ku performanca simulohet gjatë vëzhgimit, ndërsa sfidat reale të klasës mbeten jashtë vëmendjes.

Testi PISA dhe vlerësimi i fëmijëve

Ky obsesion pas “letrës” krijon një realitet paralel në sistemin arsimor. Ndërsa vlerësimet e brendshme prodhojnë rezultate formalisht të larta, realiteti i matjeve ndërkombëtare, si testi PISA, e rendit Kosovën në fund të tabelës. Ky kontrast evidenton se fokusi i procesit është te dokumentimi dhe jo te cilësia reale e mësimdhënies dhe nxënies.
Një problem shtesë paraqet vlerësimi nga nxënësit. Në nivelin 1 (klasat 1–5), ekipi vlerësues zhvillon biseda me nxënësit dhe më pas i plotëson vetë instrumentet e vlerësimit, me arsyetimin se fëmijët nuk kanë kapacitet për vlerësim formal. Kjo praktikë krijon hapësirë të konsiderueshme për subjektivizëm, ku zëri i fëmijës rrezikon të filtrohet ose të deformohet për t’iu përshtatur pritjeve të ekipit vlerësues, duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e procesit.

Përfundimi dhe rekomandimet

UA 15/2023 rrezikon t’i shndërrojë mësimdhënësit dhe drejtorët në arkivistë dokumentesh, duke e zhvendosur fokusin nga mësimdhënia te administrimi formal. Për ta shpëtuar këtë proces nga formalizmi dhe për ta rikthyer në funksion zhvillimor, sugjerohen këta hapa thelbësorë:

Rishikimi i kritereve për koordinatorë të cilësisë: Çdo shkollë duhet të ketë mbështetje profesionale për cilësi, pavarësisht numrit të nxënësve.
Statusi i drejtorëve: Harmonizimi i përgjegjësive të drejtorëve me të drejtën për rilicensim dhe avancim në karrierë, për të shmangur pabarazinë strukturore me stafin që ata vlerësojnë.
Trajnime publike dhe falas: MASHTI dhe DKA-të duhet të garantojnë trajnime brenda sistemit publik, duke hequr barrën financiare të rilicensimit nga mësimdhënësit.
Digjitalizimi dhe thjeshtimi i procesit: Kalimi nga portofolët voluminozë me letra në një platformë funksionale digjitale (SIMP), për të liruar kohë administrative dhe për ta orientuar energjinë drejt punës pedagogjike.
Metodologji specifike për nivelin fillor: Zhvillimi i instrumenteve vlerësuese të përshtatshme për moshën e nxënësve (klasat 1–5), që sigurojnë objektivitet dhe parandalojnë tjetërsimin e mendimit të fëmijës nga vlerësuesit.
Funksionalizimi i rolit të DKA-ve sipas UA 15/2023: Strukturat komunale duhet të operojnë realisht si ekipe mentorimi dhe planifikimi, duke ofruar mbështetje konkrete për shkollat gjatë vlerësimit të brendshëm dhe duke hartuar plane komunale profesionale në përputhje me rekomandimet e raporteve, në vend të kufizimit vetëm në vëzhgim apo raportim formal.
Arsimi i Kosovës nuk përmirësohet duke trashur dosjet nëpër rafte, por duke lehtësuar, mentoruar dhe profesionalizuar punën brenda klasës. Pa këto ndryshime, vlerësimi rrezikon të mbetet vetëm një “shfaqje” tjetër administrative, e cila prodhon raporte të bukura në letër, por nuk adreson thelbin e dobësive që reflektohen vazhdimisht në rezultatet e PISA-s. Rrjedhimisht, mbetet dilema thelbësore: a po shërben ky proces për ta përmirësuar realisht cilësinë e arsimit, apo vetëm për ta administruar dështimin?