Rikthehet qarkullimi normal i kamionëve në kufijtë me Maqedoninë e Veriut

Qarkullimi i kamionëve si në hyrje edhe në dalje të kufirit me Maqedoninë e Veriut është normalizuar nga orët e mbrëmjes të së enjtes, kanë njoftuar autoritetet si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se qarkullimi është normalizuar nga ora 20:00.

“Ju njoftojmë se prej orës 20:00 është normalizuar qarkullimi i kamionëve si në hyrje dhe dalje në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Ndërsa nga Policia e Shtetit e Shqipërisë është thënë se protesta e nisur nga 26 janari, do të pezullohet sot.

“Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar, nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se protesta e nisur që prej datës 26.01.2026 do të pezullohet sot, më datë 29.01.2026. Në orën 21:00, në të gjitha pikat kufitare që lidhen me Maqedoninë e Veriut, ka vijuar qarkullimi normal i kamionëve”, thuhet në njoftim.

Shoferë kamionësh në Ballkanin Perëndimor bllokuan dhjetëra pika kufitare të hënën, në shenjë proteste për rregullat e reja të hyrjes të Bashkimit Evropian (BE), për të cilat thonë se kanë dëmtuar punën e tyre.