Pas gati dy muajsh angazhimi në fushatë elektorale, deputetët e Shqipërisë i rikthehen seancave parlamentare ditën e enjte, më 29 maj, në një klimë politike të tensionuar nga rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit.
Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet në orën 10:00 për të miratuar kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, që pritet të zgjasë deri në seancën e fundit të kësaj legjislature më 8 korrik. Ndërkohë, seanca e nesërme do të jetë e para ku do të përballen fituesit e zgjedhjeve me opozitën, tashmë të rikonfirmuar në rolin e saj për një mandat tjetër katërvjeçar.
Megjithëse seanca e 29 majit konsiderohet formale dhe fokusohet në miratimin e kalendarit të punimeve, pritet që ajo të shërbejë si platformë për përplasjet e para politike pas zgjedhjeve. Opozita, e drejtuar nga Partia Demokratike, ka paralajmëruar një qasje të fortë institucionale, me qëllim – sipas saj – çmontimin e asaj që e quan “farsë elektorale”.
Ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht në krye të opozitës, ka deklaruar se aksioni i tyre politik do të vijojë me intensitet, madje ka paralajmëruar një radikalizim të tij në shtator, pa përjashtuar si opsion edhe grevën e urisë.
Në legjislaturën e re, Partia Socialiste do të ketë në dispozicion 83 mandate, që i japin shumicën e nevojshme për të kaluar çdo nismë ligjore pa mbështetjen e opozitës. Nga ana tjetër, Partia Demokratike do të ketë 50 deputetë, ndërsa shtatë mandate të shpërndara ndërmjet forcave të tjera politike mbeten ende të paqarta në orientimin e tyre – një situatë që pritet të marrë formë gjatë vjeshtës.