Fruthi është rikthyer në katër vende evropiane që më herët konsideroheshin si të pastra nga sëmundja, përfshirë këtu Shqipërinë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sëmundja nuk konsiderohet më e zhdukur në Shqipëri, Republikën Çeke, Greqi dhe Britaninë e Madhe. “Ne po bëjmë hapa prapa dhe duket se jemi në rrugë të gabuar”, tha Kate O’Brien nga OBSH.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e madje edhe me pasoja fatale që shkakton kollë, kruarje dhe ethe.
Sëmundja mund të parandalohet përmes dy dozave të vaksinës MMR, që janë në dispozicion falas për të gjithë fëmijët në Shqipëri, Britani etj.
Vendet ndërkohë deklarohen të lira nga fruthi kur nuk ka asnjë transmetim endemik të sëmundjes për 12 muaj, në një zonë specifike gjeografike. O’Brien tha ndërkohë se të katër vendet evropiane e kanë humbur statusin e tyre si të lira nga fruthi pavarësisht se kanë një mbulim ekstremisht të lartë me vaksina.
“Kjo është një kambanë alarmi që po dëgjohet në botë: qenia në gjendje për të mbuluar vendin me vaksinim nuk mjafton, duhet të shkohet në çdo komunitet, në çdo familje, për çdo fëmijë”, tha ajo.
Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se keqinformimet për vaksinat e fruthit kanë lejuar që sëmundja të përhapet në disa zona apo komunitete të caktuara. Të gjitha rajonet e botës kanë shfaqur një rritje të rasteve të fruthit madje në SHBA është regjistruar numri më i lartë i rasteve në 25 vite.
Sipas OBSH, 365 mijë raste ndërkohë janë raportuar në të gjithë botën, këtë vit, thuajse tre herë më shumë se në gjysmën e parë të 2018. Republika demokratike e Kongos, Madagaskari dhe Ukraina, kanë regjistruar ndërkohë epidemitë më të mëdha të fruthit. Rastet e sëmundjes kanë qenë në rënie në të gjithë botën deri në 2016, kur fruthi filloi të rishfaqej, shkruan Tch.
Zyrtarët e OBSH thonë se arsye e kësaj rishfaqjeje varion nga vendi në vend. Disa njerëz nuk kanë akses tek programet e vaksinimeve ndërsa të tjerë keqinformohen për sëmundjen dhe mënyrën se si ta parandalojnë atë.