Rikthehen në tokë pas 9 muajsh/ Astronautët e NASA largohen nga stacioni ndërkombëtar i hapësirës

Pas një qëndrimi rekord prej nëntë muajsh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës astronautët e NASA-s Butch Wilmore dhe Suni Williams janë nisur më në fund drejt tokës në rrugëtimin e tyre për në Shtëpi.

Fillimisht, misioni i tyre ishte planifikuar të zgjaste vetëm tetë ditë, por probleme teknike me anijen kozmike Starliner e Boeing-ut bënë që qëndrimi i tyre të zgjatej ndjeshëm. Për shkak të këtyre defekteve, kthimi i tyre me Starliner u konsiderua i rrezikshëm, dhe NASA vendosi që ata të ktheheshin me një kapsulë SpaceX Dragon, e cila mbërriti në ISS në shtator dhe ishte planifikuar për një mision gjashtëmujor. Së bashku me ta po kthehen edhe astronauti tjetër i NASA-s, Nick Hague, dhe kozmonauti rus Aleksandr Gorbunov. Kapsula u shkëput nga Stacioni Nderkombetar I Hapesisres në orën 05:05 të mëngjesit të së martës dhe pritet të ulet në oqean, pranë brigjeve të Floridës mbrëmjen e kësaj të marte.

Kthimi në atmosferën e Tokës do të jetë një provë e fortë për astronautët, pasi kapsula Dragon do të përballet me temperatura deri në 1600°C dhe do të përjetojë forca gravitacionale katër herë më të mëdha se pesha e tyre normale në Tokë. Në fazën përfundimtare, katër parashuta të mëdha do të hapen për të siguruar një ulje të butë në ujë. Helen Sharman, astronautja e parë britanike, tha se edhe pse kthimi është sfidues, astronautët do të ndihen në mënyrë të shkëlqyer  kur të jenë përsëri në Tokë.  Butch Wilmore  dhe Suni Williams  fillimisht shkuan në Stacionin Nderkombetar te Hapesires  në qershor të vitit 2024 si pjesë e testit të parë me ekuipazh të anijes Starliner të Boeing-ut. Por problemet teknike të saj bënë që ata të mbeteshin në hapësirë më gjatë se parashikohej. Për këtë arsye, NASA vendosi t’i kthente ata me kapsulën e ardhshme të SpaceX.

Pavarësisht se shpesh u përshkruan si “të bllokuar” në hapësirë, NASA siguroi se gjithmonë kishte një anije të lidhur me Stacionin Nderkombetar te Hapesires për raste emergjente . Duke folur para nisjes së tyre për në Tokë, Butch Wilmore u shpreh se ekipi ishte i përgatitur për çdo skenar. “Ne erdhëm të përgatitur për një qëndrim të gjatë, edhe pse planet fillestare ishin per nje qendrim te shkurter. Nga ana tjetër, Suni Williams e quajti këtë si misionin e saj të fundit në hapësirë. “Nuk dua ta humbas këtë ndjenjë frymëzimi kur të largohem, ndaj do të përpiqem ta ruaj atë,” tha ajo.

Misioni i tyre mori më shumë vëmendje muajin e kaluar kur CEO i SpaceX, Elon Musk, sugjeroi se astronautët u lanë në hapësirë për arsye politike dhe se kompania e tij mund t’i kthente më herët. NASA e mohoi këtë dhe argumentoi se vendimi për kthimin ishte bazuar në nevojat operacionale të Stacionit Nderkombëtar te Hapesires dhe planifikimin e fluturimeve.

Pasi të mbërrijnë në Tokë, astronautët do të dërgohen në Qendrën Hapësinore Johnson në Teksas për kontrolle mjekësore. Qëndrimi i gjatë në hapësirë ndikon në trupin e njeriut, duke shkaktuar humbje të masës kockore dhe muskulore, probleme me qarkullimin e gjakut dhe ndryshime në shikim. Për këtë arsye, ata do t’i nënshtrohen një programi intensiv stërvitor për t’u përshtatur me gravitetin.