Rigjykimi për “53 milionëshin”, ish-ministri Lluka thotë që s’i kujtohen detajet e projektit të autostratës e as totali i kostos

Në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar në rastin e njohur si “53-milionëshi”, në sesionin e pasdites në eancën e së hënës dëshmoi ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdin Lluka. Ai tha se si anëtar i Komitetit Drejtues Ndërministror informata të përgjithshme për projektin e ndërtimit të autostratës kishte goxha, po për detaje të tij dinte më pak.

Dëshmitari Lluka u pyet nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra të tregojë se nga 10 deri në 100, si anëtar i Komitetit, sa ka pasur njohuri për projektin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, e quajtur “Arbën Xhaferi”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Për këtë, Lluka tha se si anëtar i Komitet Drejtues Ndërministror- që ishte themeluar për projektin e ndërtimit të autostradës në fjalë, për informata të përgjithshme mund të vlerësojë diku tek 80, ndërkaq për detaje të projektit më pak.

Sipas tij, volumi i shkresave të lëndës që i ishin dorëzuar atij si anëtar i këtij Komiteti, ishte diku 200 ose 300 faqe material.

Ish-ministri Lluka tha se detajet e projektit në fjalë nuk i kujtohen, por i kujtohen informata të përgjithshme dhe atë se në rast të mospagesës shtesë dhe zgjatje të punimeve për përfundimin e autostardës, do të përfundonin në Arbitrazh.

I pyetur nga prokurori special, Atdhe Dema se si ka ardhë në këtë konstatim, Lluka tha se bazuar në provojat me projektet e tjera.

Për opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, Lluka deklaroi se nuk ka qenë në dijeni dhe se i njëjti nuk është prezentuar në Komitetin Ndërministror, por se në atë komitet ishte prezentuar opnionin i Zyrës Ligjore të Ministrisë së Insfrastrukturës.

Lluka shtoi se si anëtar i këtij Komiteti nuk është në dijeni për tipin e kontratës që ka qenë e nënshkuar për ndërtim të autostradës. Tha se nuk i kujtohet as shuma totale e kostos së projektit në fjalë.

Gjatë dhënies së dëshmisë, Lluka tha se mbështet të gjitha deklarimet e dhëna më herë për këtë proces gjyqësor, duke kërkuar mirëkuptim për dëshminë e sotme që nuk i kujtohen detajet me arsyetimin se tashmë kanë kaluar afërsisht 8 vite.

Si anëtar i Komitetit, Lluka tha se detyrë e anëtarit është të dijë për aspektet më të rëndësishme, ndërkaq për detaje të projektit është kryesuesi i Komiteti i cili duhet të jetë në dijeni të tyre.

Pyetje për dëshmitarin Lluka nuk patën anëtarët e trupit gjykues, gjykatësit Donikë Shala-Abdyli dhe Rrahman Beqiri.

Pas përfundimit të dëshmisë së Llukës, procesi gjyqësor pritet të vazhdojë gjatë këtij muaji, me dëshmitarë që trupi gjykues i vlerëson si të nevojshëm për t’u dëgjuar, tha gjykatësja Namani-Hajra.