Fabrika lidere Comodita Home, pjesë e Devolli Corporation, është rikthyer në operim në kohë rekorde për të vazhduar të jetë simbol krenar i prodhimeve cilësore ‘Made in Kosova’ dhe ta vijojë pa ndërprerje prezencën në tregjet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Tri ditë pas incidentit në Gjakovë, ku një pjesë e fabrikës u përfshi nga zjarri, sot ka nisur prodhimi.
Ditën e sotme, Comodita Home ka nisur punën me kapacitete funksionale, duke ruajtur standardet e cilësisë dhe efikasitetit, siç ishte edhe më parë.
Drejtoresha operative e Comodita Home, Granita Bunari, për Klan Kosova, deklaroi se situata ka qenë e papritur, por se rikthimi i shpejtë në punë është lajm i mirë.
“Ka qenë një situatë e papritur për të gjithë ne, por e rëndësishme është që sot punëtorët janë në vendet e tyre të punës dhe një pjesë e madhe e prodhimit tashmë është riaktivizuar. Kjo është ajo që e karakterizon më së miri ditën e sotme”, tha Bunari.
Sipas informatave fillestare, rreth 40 për qind e fabrikës është dëmtuar nga zjarri, ndërsa 60 për qind mbetet funksionale, duke mundësuar vazhdimin e prodhimit.
Kujtojmë se nga ky rast, fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë të lënduar, as në mesin e punëtorëve dhe as në mesin e personelit të angazhuar në operacionin e shuarjes së zjarrit.
Bordi drejtues, në një njoftim për publikun të premten, bëri të ditur se vendimi për rifillimin e punës është marrë me përgjegjësi të plotë, duke pasur parasysh rëndësinë që vazhdimësia e operimit të kompanisë ka për mijëra familje që varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Comodita Home, si dhe për partnerët, furnitorët dhe bashkëpunëtorët tanë në vend dhe jashtë vendit










