Aktorët shqiptarë vazhdojnë të bëjnë histori në kinematografinë botërore, dhe këtë herë është Ridvan Murati ai që do të shkëlqejë në një nga skenat më prestigjioze të filmit. Filmi zvicerano-gjerman “Heldin”, ku Murati ka një rol të rëndësishëm, do të ketë premierën botërore në Berlinale 75, festivalin e famshëm të filmit që do të mbahet nga 13 deri më 23 shkurt 2025.
Lajmin e ka ndarë vetë aktori përmes një statusi emocionues, ku shpreh entuziazmin dhe krenarinë për këtë arritje të madhe. Ai do të jetë pjesë e premierës së filmit në Berlin, krah regjisorës së njohur Petra Volpe dhe aktores së talentuar Leonie Benesch, e cila vitin e kaluar u shpall aktorja më e mirë në Gjermani për rolin e saj në filmin Der Lehrerzimmer.
Berlinale është një nga festivalet më të rëndësishme në botë, krahas Oscars dhe Festivalit të Filmit në Cannes. Për çdo aktor, regjisor apo skenarist, pjesëmarrja në këtë festival është një ëndërr që shpesh duket e paarritshme. Por siç e theksoi edhe Murati, suksesi vjen si rezultat i punës së palodhur, përkushtimit dhe vendosmërisë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur, jo vetëm si aktor nga Kosova, por edhe sepse mund ta ndaj këtë arritje me ju të gjithë”, shkruan ai.
Filmi “Heldin”, i xhiruar në fillim të vitit 2024, nuk do të ndalet vetëm në Berlinale. Pas premierës në Berlin, filmi do të shfaqet edhe në Zürich dhe më pas në të gjitha kinematë e Zvicrës.
Në mesazhin e tij, Murati ka një thirrje për të gjithë ata që ëndërrojnë të bëhen pjesë e industrisë së filmit: “Ëndrrat mund të bëhen realitet, pavarësisht gjuhës apo vendit ku jetoni. Prandaj, kurrë mos u dorëzoni!”.
Ky sukses i Ridvan Muratit është një tjetër dëshmi e potencialit të madh të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare. Berlinale 75 pritet të jetë një edicion i veçantë, dhe për shqiptarët, do të jetë edhe më emocionues me praninë e një aktori të talentuar si Ridvan Murati.
Festivali i Filmit në Berlin do të mbahet në shkurt 2025, ndërsa publiku shqiptar dhe ndërkombëtar mezi pret të shohë performancën e Muratit dhe të gjithë ekipit të filmit “Heldin”.