Ricky Gervais nderohet me një yll në Bulevardin e Famës në Hollywood

Aktori dhe komediani britanik, Ricky Gervais, u nderua të premten me një yll në Stazën e Famës në Hollywood – një nga nderimet më prestigjioze në industrinë e argëtimit, njofton BBC.

Gjatë ceremonisë, Gervais u shpreh se suksesi i tij ishte një kombinim i “fatit, këmbënguljes dhe pak guximi për të shkuar kundër rrymës”.

“Kështu më në fund kemi një yll që jep komente sarkastike sa herë që dikush kalon pranë… E kam ditur gjithmonë se na duhej një dozë humori në këtë trotuar të famshëm”, u shpreh producentja e Stazës së Famës, Ana Martinez.

Kush është Ricky Gervais?

Ricky Dene Gervais ka lindur më 25 qershor 1961 në Reading të Anglisë. Ai është një komedian, aktor, skenarist, regjisor dhe producent britanik, i njohur më së shumti për krijimin dhe rolin kryesor në serialin The Office (2001–2003), që i solli atij famë ndërkombëtare.

Pasi përfundoi studimet në filozofi në University College London, Gervais bëri një përpjekje për të hyrë në muzikë si pjesë e duetit synth-pop Seona Dancing. Në mesin e viteve ’90, ai punoi në radion XFM, ku takoi Stephen Merchant – partnerin e tij të ardhshëm krijues në disa projekte të njohura.

Përveç The Office, ai ka bashkëkrijuar dhe ka luajtur në serialet Extras (2005–2007), Derek (2012–2014) dhe After Life (2019–2022). Po ashtu, ai ka regjisoruar dhe interpretuar në filma si The Invention of Lying (2009) dhe Special Correspondents (2016).

I njohur për humorin e mprehtë dhe qasjen satirike ndaj çështjeve shoqërore, Gervais ka fituar shumë çmime të rëndësishme, përfshirë shtatë çmime BAFTA, katër Golden Globe dhe dy Emmy.

Jeta personale dhe angazhimet

Që nga viti 1982, Gervais është në një lidhje me shkrimtaren Jane Fallon. Ata jetojnë mes Londrës dhe Nju Jorkut, kanë vendosur të mos martohen dhe nuk kanë fëmijë.

Ai është gjithashtu i njohur për aktivizmin e tij në mbrojtje të të drejtave të kafshëve dhe për qëndrimet e tij të hapura si ateist. /Telegrafi/