Samuele Ricci është zyrtarisht futbollist i Milanit. Mesfushori i lindur në vitin 2001 ka firmosur kontratë 4-vjeçare, me opsion për një vit shtesë. Ai vjen nga Torino për 23 milionë euro, plus 1.5 milionë euro bonuse. Me anë të një postimi në Instagram, Ricci ka përshëndetur tifozët dhe mbarë botën “granata”:
“Të dashur tifozë të Toros, me shumë emocion po ju shkruaj për t’ju përshëndetur. Është e vështirë t’i përmbledhësh 3 vite e gjysmë në një postim në Instagram… Kam mbërritur si një djalosh dhe falë punës së mister Juric, mister Vanoli dhe gjithë stafit të tyre, jam përmirësuar shumë në këtë rrugëtim.
Dua t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj dhe për faktin që më keni bërë të ndihem pjesë e kësaj familjeje të madhe që në fillim. Torino është një skuadër speciale dhe ajo fanellë do të mbetet përgjithmonë brenda meje.
Ajo që përfaqëson Torino shkon përtej futbollit. Të jesh ‘granata’ nuk është thjesht tifozeri…, është një mënyrë të qenuri, një besim që trashëgohet nga babai tek i biri. Ka qenë nder i madh ta vishja atë fanellë dhe privilegj të isha kapiten i skuadrës për një pjesë të kampionatit.
Do ta mbaj me vete pasionin që më keni transmetuar, mikpritjen që më keni dhuruar dhe kohën që më keni falur duke më pritur te porta e stadiumit pas çdo ndeshjeje, edhe nën shi. Asgjë nga këto nuk ka qenë e marrë si e mirëqenë nga ana ime.
Nuk harrohet kurrë ndjesia që ke si lojtar kur zbret nga autobusi në sheshin e stadiumit dhe kalon mes mijëra njerëzve për të përkujtuar emrat e të pamposhturve. Po ashtu, të prek thellë kur viziton muzeun e Torinos së madhe dhe jeton historinë e saj.
Një falënderim i veçantë shkon për klubin, mbi të gjitha për presidentin që me mbështetjen e drejtorit më dha mundësinë ta përjetoja këtë eksperiencë të mrekullueshme.
Më në fund përqafoj këdo që ka qenë pjesë e rrugëtimit tim dhe që ka ndarë me mua fushën e ‘Olimpico Grande Torino’, në fitore dhe humbje… Ju uroj të gjithëve më të mirën në karrierë!
Një përqafim i veçantë për Duvan dhe Perr, të cilëve iu uroj të kthehen sa më shpejt në fushë! Ju përshëndes të gjithëve, vazhdoni ta doni këtë skuadër siç dini ta bëni”.
The post Ricci, lamtumirë prekëse Torinos: Ato ngjyra do të mbeten përgjithmonë në zemrën time appeared first on Telesport.