Ricci-Allegri, dyshja toskane karikon kuqezinjtë: Kthimi në Champions League është objektivi kryesor

Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, mesfushori i Milanit, Samuele Ricci ka folur për ndjesitë e para te kuqezinjtë dhe marrëdhënien e tij me trajnerin Massimiliano Allegri, me të cilin duket se ka krijuar lidhje të veçantë që në fillim: “Kemi një ndjesi të mirë mes nesh. Jemi të dy toskanë dhe e kuptojmë mirë njëri-tjetrin (qesh)”.

Por përtej batutave, lojtari i përfaqësueses italiane zbuloi edhe kërkesat që Allegri ka për mesfushorët e tij: “Na kërkon t’i japim soliditet ekipit. Teknikisht duhet t’i shmangim sa më shumë pasimet e brendshme dhe ta luajmë topin shpejt përpara, sepse e dimë çfarë cilësie dhe shpejtësie kanë lojtarët tanë të krahut. Nëse iu krijojmë atyre kushtet për të bërë dëm, edhe me ndërrime krahësh, gjithçka bëhet më e thjeshtë”.

Milani së fundi mposhti Liverpool-in në një miqësore verore në Hong Kong, por Ricci mbetet me këmbë në tokë: “Kundër Arsenalit patëm vështirësi në ndërtimin e lojës, por ndaj Liverpool-it ishim më të mirë, veçanërisht në kundërsulme. Fjala kyçe? Të mos na marrë mendja erë…”

Kur pyetet për objektivat e sezonit, Ricci nuk e fsheh ambicien: “Kthimi në Champions League është prioritet. Është kompeticioni ku Milani e meriton të jetë. Duhet të punojmë ditë pas dite, pa parë shumë larg. Sidoqoftë, të gjithë ëndërrojmë ta dëgjojmë sërish himnin e Champions League në ‘San Siro’, është objektivi kryesor”.

Në fund, një koment për Rafael Leaon, shokun e tij të ri të skuadrës: “Më mirë ta kesh në skuadrën tënde sesa kundërshtar. Ndoshta as ai vetë nuk e di sa i fortë është. Nëse e vë veten në shërbim të ekipit, mund të bëhet vërtet i pandalshëm”.

Me një mesfushë të re dhe trajner me eksperiencë si Allegri, Milani duket se ka gjetur balancën për të qenë protagonist në Itali dhe në Europë.

The post Ricci-Allegri, dyshja toskane karikon kuqezinjtë: Kthimi në Champions League është objektivi kryesor appeared first on Telesport.