Reuters: Trumpi po shqyrton tërheqjen e disa trupave amerikane nga Evropa

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i pakënaqur me dështimin e aleatëve të NATO-s për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit dhe i zemëruar që planet e tij për të marrë Grenlandën nuk kanë avancuar, ka diskutuar me këshilltarët mundësinë e tërheqjes së disa trupave amerikane nga Evropa, i tha Reuters-it të enjten një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Asnjë vendim nuk është marrë dhe Shtëpia e Bardhë nuk i ka dhënë Pentagonit udhëzime për të hartuar plane konkrete për një reduktim të trupave në kontinent, tha zyrtari, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Por vetë diskutimet theksojnë se sa ndjeshëm janë përkeqësuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë në NATO në muajt e fundit. Ato sugjerojnë gjithashtu se vizita në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nuk arriti të përmirësojë ndjeshëm marrëdhëniet transatlantike, të cilat ndoshta janë në nivelin më të ulët që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949.

ShBA-ja aktualisht ka më shumë se 80,000 trupa në Evropë dhe ka luajtur një rol qendror në arkitekturën e sigurisë së kontinentit që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 30,000 prej këtyre trupave ndodhen në Gjermani, ndërsa numra të konsiderueshëm janë të stacionuar edhe në Itali, Mbretëri të Bashkuar dhe në Spanjë.

NATO nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Zyrtari nuk tha se cilat vende mund të preken ose sa trupa mund të tërhiqen përfundimisht nëse Trump vendos të ecë përpara me këtë ide.

Ndërsa Trump ka pasur prej kohësh një marrëdhënie të trazuar me NATO-n – duke akuzuar për vite me radhë kryeqytetet evropiane për mungesë shpenzimesh në mbrojtje – tre muajt e fundit kanë qenë veçanërisht të vështirë.

Në janar, Trump shkaktoi një krizë transatlantike kur ringjalli kërcënimet e kahershme për të aneksuar Grenlandën, një territor jashtë shtetit i Danimarkës. Që nga shpërthimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, ai ka shprehur frustrim të thellë që aleatët e NATO-s nuk kanë ofruar ndihmë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me energji, e cila ka mbetur kryesisht e mbyllur pavarësisht një armëpushimi të brishtë të shpallur këtë javë.

Diplomatët e NATO-s kanë thënë se ShBA nuk e ka bërë të qartë nëse pret që ndonjë mision në Ngushticën e Hormuzit të nisë gjatë apo pas konfliktit, dhe kanë shtuar se ShBA nuk ka specifikuar se çfarë kapacitetesh konkrete pret nga secili vend i NATO-s.

“The Wall Street Journal” raportoi të mërkurën se zyrtarë të lartë të administratës po diskutonin zhvendosjen e trupave të stacionuara në Evropë nga vendet, udhëheqësit e të cilave kishin qenë kritikë ndaj luftës ShBA-Izrael në Iran, drejt vendeve evropiane, udhëheqësit e të cilave kishin qenë më mbështetës.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë i tha “Reuters”-it se Trump po diskutonte në mënyrë specifike kthimin e trupave në ShBA, dhe jo zhvendosjen e tyre në vende të tjera të huaja.