“Reuters”: ShBA-ja i nxiti kurdët e Sirisë që të nënshkruanin pakt me presidentin Sharaa

Shtetet e Bashkuara i inkurajuan aleatët e tyre kurdë në Siri që ta arrinin marrëveshjen e rëndësishme të së hënës me Qeverinë e Sirisë në Damask, thanë gjashtë burime. Ky pakt mund ta shmangë konfliktin e mëtejmë në pjesën veriore të vendit në kohën e paqartësisë rreth forcave amerikane të dislokuara atje.

Me këtë marrëveshje synohet bashkimi i një shteti të copëtuar nga 14 vjet luftë, duke e hapur rrugën që forcat e udhëhequra nga kurdët, të cilat e kanë nën kontroll çerekun e Sirisë, të bashkohen me Damaskun, bashkë me organet qeverisëse rajonale kurde. Megjithatë, hollësi kyçe për atë se si do të bëhet kjo ende nuk janë zbuluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjeneral Mazloum Abdi, udhëheqës i Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, u dërgua në Damask për nënshkrimin e marrëveshjes të hënën me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, përmes një aeroplani ushtarak amerikan, thanë tri burime.

Tri burime të tjera – zyrtarë amerikanë – thanë se Shtetet e Bashkuara e kishin inkurajuar SDF-në që të lëvizte përpara një marrëveshjeje për ta zgjidhur statusin e vet në Sirinë e re, fokus i bisedimeve që filluan pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor, transmeton nacionale.

“Shtetet e Bashkuara luajtën një rol shumë jetik” – tha një burim i lartë rajonal i inteligjencës.

Burimi i inteligjencës dhe një diplomat me bazë në Damask presin që marrëveshja ta lehtësojë presionin ushtarak të Turqisë ndaj SDF-së, të cilën Ankaraja e cilëson zgjatje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e ndaluar me ligj në Turqi. Ankaraja e mirëpriti marrëveshjen.

Një zyrtar qeveritar sirian tha se presidenca siriane do të punojë për t’i adresuar çështjet e mbetura mes SDF-së dhe Turqisë.

Uashingtoni ka zhvilluar lidhje të thella me grupet kurde të Sirisë duke dislokuar forca në këtë shtet për të luftuar kundër ISIS-it para një dekade e duke bashkëpunuar me luftëtarët kurdë pavarësisht nga ankesat e Turqisë.