Reuters për arrestimet në lidhje me manipulimet e votave: Lloj turpi për shtetin që dëshiron BE-në

Arrestimi i 109 personave të dyshuar për manipulimet me vota në Prizren, ka marrë vëmendjen edhe të agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Kjo agjenci e ka cilësuar rastin si një lloj turpi për shtetin e ri që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nga Reuters theksohet edhe se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka deklaruar se hetimet fillestare i kanë nisur dy javë më parë.

Raportimi i plotë:

Më shumë se 100 persona janë ndaluar nën dyshimin për manipulim të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, thanë prokurorët, mes hetimeve që kanë nxitur rinumërimin e votave dhe që mund të vonojnë formimin e një qeverie të re.

Hetimet nuk pritet ta përmbysin fitoren e partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi prokurorët thanë se të dyshuarit akuzohen për kalimin e votave mes kandidatëve brenda listave të të njëjtës parti – jo mes partive të ndryshme – sipas sistemit të përfaqësimit proporcional.

Megjithatë, ato u panë si një turp i madh për vendin e ri, i cili synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Zyra e Kurtit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Bedri Hamza, kreu i lëvizjes së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës, i quajti mospërputhjet “thellësisht shqetësuese”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës tha se kishte nisur hetimet fillestare dy javë më parë, pasi verifikimet e videove nga disa qendra numërimi treguan parregullsi.

Të hënën, ai urdhëroi rinumërimin e plotë të votave, duke thënë se ishin gjetur probleme në disa lokacione.

Të premten, Kryeprokurori në qytetin jugor të Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha se 109 të dyshuar ishin ndaluar nën dyshimin se kishin ndryshuar vota për të favorizuar kandidatë të caktuar në listat e hartuara nga partitë individuale.

Të dyshuarit ishin zyrtarë, të njohur si komisionerë zgjedhorë, të zgjedhur nga partitë për të numëruar votat sipas sistemit zgjedhor të Kosovës. Disa dyshoheshin se kishin marrë ryshfet, dhe sipas Kryeziut, zyrtarë nga të katër partitë kryesore duhet të kenë qenë të përfshirë.

“Do të kishte qenë e pamundur që këto vota të ndryshoheshin nëse nuk do të kishte komprometim nga komisionerët për ta bërë këtë nga të katër partitë më të mëdha,” tha Kryeziu gjatë një konference për shtyp.

“Tani kemi dëshmitarë bashkëpunues që kanë shpjeguar metodat e presionit të ushtruara ndaj tyre dhe disa kanë zbuluar detaje se kush ka marrë dhe kush ka ofruar ryshfet,” shtoi ai.

Arrestime të ngjashme priten edhe në qytete të tjera, u thanë zyrtarët Reuters-it.

“Manipulimi i votave për kandidatët për deputetë është një turp i madh për Kosovën,” tha komentatori politik Ilir Deda. “Ai ka gërryer besimin e publikut në proceset zgjedhore.”

Të premten, komisioni zgjedhor tha se kishte rinumëruar më shumë se gjysmën e votave dhe deri tani vetëm një kandidat kishte humbur mandatin e tij në favor të një kandidati tjetër nga e njëjta parti si rezultat.

Shumica e kandidatëve që thuhet se kanë përfituar nga votat shtesë kanë mohuar çdo keqbërje.