“Reuters”: Pentagoni ka kërkuar opsione ushtarake për qasje në Kanalin e Panamasë

Ushtria amerikane duhet të punojë për të ofruar opsione për të garantuar që Shtetet e Bashkuara të kenë qasje të plotë në Kanalin e Panamasë, i thanë të enjten agjencisë së lajmeve “Reuters” dy zyrtarë amerikanë.

Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se në një dokument, të përshkruar si udhëzues i përkohshëm për sigurinë kombëtare nga administrata e re, bëhet thirrje që ushtria të shqyrtojë opsione ushtarake për ta garantuar qasjen në Kanalin e Panamasë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pentagoni për herë të fundit e publikoi Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare më 2022, dokument në të cilin përvijohen prioritetet për ushtrinë amerikane. Përmes një dokumenti të përkohshëm përcaktohen udhëzime të gjera rreth politikave, pak a shumë si urdhrat ekzekutivë të nënshkruar nga presidenti Donald Trump dhe komentet publike të tij.

Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Për dokumentin e përkohshëm raportoi së pari televizioni CNN. Televizioni “NBC News” raportoi më herët të enjten se Shtëpia e Bardhë e kishte urdhëruar Pentagonin që të krijonte opsione për Kanalin e Panamasë, transmeton nacionale.

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta rimarrin Kanalin e Panamasë për shkak se Kina e kontrollon atë dhe se fuqia aziatike do të mund ta përdorte këtë rrugë të rëndësishme detare për t’i minuar interesat amerikane. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit si president në janar, Trumpi i përsëriti akuzat se Panamaja i kishte shkelur premtimet që i kishte bërë me rastin e transferimit përfundimtar të kontrollit të kanalit më 1999.

Çfarëdo lëvizjeje nga një fuqi e huaj për ta marrë me forcë nën kontroll Kanalin e Panamasë pothuajse me siguri do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja obligohen me një traktat që ta mbrojnë Kanalin e Panamasë kundër çfarëdo rreziku ndaj neutralitetit të tij dhe u lejohet që të ndërmarrin veprime të njëanshme për ta arritur këtë.

Shtetet e Bashkuara i kishin siguruar të drejtat për ta ndërtuar dhe menaxhuar kanalin në fillim të shekullit XX. Përmes një traktati të nënshkruar më 1979, gjatë administratës së presidentit të atëhershëm amerikan, Jimmy Carter, ShBA-ja ishte pajtuar që t’ia dorëzonte Panamasë kontrollin e kanalit duke filluar nga viti 1999.