“Reuters” e vë në pikëpyetje pretendimin e Trumpit se i ka dhënë fund një lufte Kosovë – Serbi

Agjencia e lajmeve “Reuters” ka publikuar një artikull në lidhje me pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se ka zgjidhur disa luftëra, përfshirë parandalimin e një konflikti mes Kosovës e Serbisë, duke i vënë pikëpyetje artikullit të saj: a e ka bërë këtë?

Presidenti Trump ka thënë se ai duhet ta marrë Çmimin Nobel për Paqe për zgjidhjen e tetë konflikteve që nga ardhja në pushtet në janar. Megjithatë, pretendimi është gjerësisht i kontestuar dhe konflikti ka flakëruar përsëri në disa prej rajoneve, përfshirë Republikën Demokratike të Kongos dhe përgjatë kufirit mes Kamboxhias e Tajlandës, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo agjenci e ka shtjelluar situatën në të gjitha rastet ku Trumpi ka pretenduar se u ka dhënë fund luftërave apo konflikteve: mes Armenisë e Azerbajxhanit, mes Kamboxhias e Tajlandës, mes Izraelit, Iranit e Territoreve Palestineze, mes Ruandës e Republikës Demokratike të Kongos, mes Indisë e Pakistanit, mes Egjiptit e Etiopisë, mes Rusisë e Ukrainës [kishte premtuar gjatë fushatës], mes Koresë së Jugut e Koresë së Veriut si dhe mes Kosovës e Serbisë.

Ja çfarë thuhet në artikull, në pjesën kushtuar pretendimit të Trumpit për parandalimin e një konflikti mes Kosovës e Serbisë:

Kosova dhe Serbia ende kanë marrëdhënie të tensionuara gati pesë vjet pas marrëveshjeve që i ndërmjetësoi Trumpi me dy vendet gjatë mandatit të parë për t’i përmirësuar lidhjet e tyre ekonomike.

Pa paraqitur dëshmi, Trumpi tha në qershor se ai “ndali” luftë mes dy shteteve gjatë mandatit të tij të parë dhe se “unë do ta rregulloj këtë, përsëri” në mandatin e dytë.

Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, gati një dekadë pasi NATO-ja i bombardoi forcat serbe për t’i ndalur vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve etnikë nga rajoni gjatë një lufte kundër kryengritjes më 1998-1999.

Megjithatë, Serbia ende e cilëson Kosovën si pjesë përbërëse të territorit të saj. Dy vendet nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje të paqes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është munduar që ta zgjerojë kontrollin qeveritar mbi pjesën veriore, ku jetojnë rreth 50 mijë serbë etnikë, shumë prej të cilëve refuzojnë që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në korrik se “gjatë javëve të fundit”, Trumpi kishte parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë në rajon. Ajo nuk dha hollësi dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohoi se një përshkallëzim kishte qenë duke u afruar.