Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që nisën të hënën në mbrëmje e vazhduan deri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së marte, disa komuna në Kosovë u përballën me vërshime, të cilat shkaktuan dëme materiale në pronat private të qytetarëve dhe në infrastrukturën rrugore.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se reshjet e pandërprera të shiut në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.
Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – patën ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve për mbrojtjen e “jetës dhe pronës”.
Ajo kërkoi nga qytetarët vigjilencë dhe respektim me përpikëri të udhëzimeve të institucioneve, pas reshjeve përmbytëse. Situata, sipas saj, kërkon kujdes maksimal.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Osmani njoftoi ndër të tjera se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri të plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, nëse paraqitet nevoja.
Ndërkohë Komuna e Malishevës dhe ajo e Junikut shpallën gjendje të jashtëzakonshme pas përmbytjeve.
Përmbytjet në disa rrugë bënë që Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.
Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.
Më vonë, autoritetet njoftuan se furnizimi me energji elektrike u rikthye pas krijimit të kushteve të sigurta për ndërhyrje të KEDS-it.
Përveç telasheve me rrymë, qytetarët u përballën edhe me ndërprerje të ujit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ndërpreu përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të “ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit”.
Ngjashëm, për reduktime në furnizim me ujë njoftoi edhe KRU “Prishtina” për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.
Në Prishtinë, komuna apeloi për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.









