Deputetët e Kuvendit të Posaçëm të Republikës Serbe miratuan Projektin e Kushtetutës së re të këtij entiteti, i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës dhe përmban shumë ligje problematike.
Për miratimin e Projektit të Kushtetutës në Kuvendin e Posaçëm të Republikës Serbe ishte e nevojshme shumica e përgjithshme, ashtu siç ishte e nevojshme edhe për miratimin e propozimit të vendimit për fillimin e procesit të miratimit të Kushtetutës së re të RS-së, megjithatë për miratimin përfundimtar të Kushtetutës së re, koalicioni qeverisës do t’i duhet një mbështetje më e gjerë, dy të tretat.
Sonte, për Projektin votuan 58 deputetë të pranishëm, prej të cilëve 50 ishin për, siç ishte dje, ndërsa 8 ishin kundër dhe nuk kishte asnjë abstenim. Kuvendi i Posaçëm ka 83 deputetë, dhe një numër i madh i opozitarëve nuk morën pjesë në votim, raporton klix.ba.
Seanca, që u mbajt gjatë gjithë ditës, kishte dy pika në rendin e ditës – Projektin e Kushtetutës së RS-së dhe Propozimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sistemit Kushtetues të RS-së, i propozuar nga presidenti separatist i etnitetit, Milorad Dodik, i cili gjithashtu u miratua.
Projekti i Kushtetutës së re ishte botuar më parë dhe ai parashikon krijimin e ushtrisë së RS-së, si dhe mundësinë për t’u bashkuar me aleanca ushtarake me shtete të tjera. Disa nga ligjet janë e drejta për konfederatën me një shtet tjetër, heqja e statusit të konstituivitetit, mundësia e menaxhimit të pasurisë shtetërore.
Në seancën e Kuvendit të Posaçëm të Republikës Serbe është diskutuar nëse entiteti ka nevojë për një Kushtetutë të re, dhe presidenti Nenad Stevandiq ka vazhduar edhe sot praktikat antidemokratike të udhëheqjes së seancës në mënyrë të njëanshme. Gjatë ditës, i gjithë Klubi i SDS-së është përjashtuar nga salla, dhe kjo ndodhi edhe dje kur u përjashtuan tre deputetë – Igor Crnadak, Nebojsa Vukanoviq dhe Gjorgje Vuçiniq
Për më tepër, Stevandiq shpesh pengonte opozitarët të flasin, ndërkohë që deputetëve të koalicionit qeverisës u lejon të fyejnë opozitën, dhe fjalët fyese dhe të papranueshme për Kuvendin i ka thënë edhe vetë Stevandiq