Republika e Tretë: Kosova s’merr pjesë në samitin e shteteve aleate për Ukrainën

Të martën u mbajt Samiti i Koalicionit të të Vullnetshmëve për Ukrainën, ku aleatë europianë dhe amerikanë u mblodhën në Paris në përpjekjen e tyre të fundit për të rënë dakord mbi garancitë e sigurisë për çdo armëpushim në luftën e Rusisë kundër fqinjit të saj. Në këtë samit nuk mori pjesë askush nga Kosova, shkruan Gazeta Metro.

Në këtë samit ka marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili edhe ka publikuar një foto familjare të liderëve që ishin të pranishëm në këtë samit.

Aty ishin edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.

Në një draft-deklaratë të publikuar para nisjes së samitit thuhet se angazhimet ndaj Ukrainës mund të përfshijnë përdorimin e kapaciteteve ushtarake, mbështetjes së inteligjencës dhe logjistikës, iniciativave diplomatike, si dhe miratimin e sanksioneve shtesë.

Ndërkaq, ky takim synon të finalizojë sa më shumë kontribute të jetë e mundur për garancitë e ardhshme të sigurisë në mënyrë që të sigurojë Kievin në rast të një armëpushimi me Rusinë. Në draft theksohet po ashtu progresi i bërë në javët e fundit në bisedimet mbi garancitë e sigurisë, megjithëse Moska nuk ka dhënë asnjë shenjë publike se do të pranonte marrëveshje të tilla. /gazetametro.net