Në artikujt e publikuar nga rrjeti propagandistik rus “Pravda” në gjuhën shqipe Kosova mohohet si shtet, krahasohet me Krimenë dhe akuzohet për terrorizëm institucional ndaj komunitetit serb.
Kështu u tha në konferencën “Sfidat e çrregullimit informativ në Kosovë”, e organizuar nga Hibrid.info.
Në publikimin e raportit “Rrjeti propagandistik rus Pravda dhe Ballkani”, që ka targetuar edhe audiencën shqipfolëse tregohet se domeni i Pravda në shqip është aktiv që nga marsi i vitit 2024, ku deri në prill të këtij viti janë publikuar rreth 3 mijë artikuj në gjuhën shqipe, raporton KosovaPress.
Hulumtuesi në Hibrid, Festim Rizanaj tha se “Pravda” është një operacion online i koordinuar me Kremlinin zyrtar që shpërndanë përmbajtje të ndryshme pro ruse përmes webafqeve të maskuara si portale informative.
Ai potencoi se “Pravda” përhapë narrativat pro-ruse dhe kritikon Perëndimin si dhe NATO-n.
Rizanaj tha se pavarësisht numrit të artikujve në gjuhën shqipe, ndikimi i drejtëperdrejtë në audiencën shqiptare është i ulët. Kjo sic tha ai për shkak se përkthimet nuk janë të mira dhe se mungon shpërndarja e tyre në disa nga rrjetet sociale.
Rizanaj potencoi se në mesin e këtyre 3 mijë artikujve ka artikuj pro rus dhe pro serb, ku theksohet bashkëpunimi Moskë-Beograd si dhe glorifikimi liderëve si Vuçiq.
Ai shtoi se Ballkani është në shënjestër kryesore të “Pravda”. /kp/
The post Republika e Kosovës shënjestër e propagandës ruse appeared first on Kosovapost.net.