Republika dhe sfidat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës

Që nga paslufta, Serbia në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime obstruktive kundër Kosovës. Veprimet e saj karakterizohen me aksione politike e diplomatike, sociale e ekonomike dhe si mjetë të fundit për arritjen e qëllimeve të saj e ka dhunën, të cilën e ushtron përmes grupeve kriminale, të cilat i motivonë dhe i mbështet financiarisht për të destabilizuar dhe për t’a penguar komunitetin serb në Kosovë në integrimin e tij në jetën shoqërore dhe institucionale.

Shkruajnë:

Prof. Dr. Avni H. Alidemaj-Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative (Kolegji UBT)

Prof. Dr. Alban Maliqi-Profesor i shkencave politike dhe të sigurisë (Kolegji UBT)

Lufta në kuptimin e saj klasik kualifikohet si një armiqësi në mesë të dy palëve, ku palët zhvillojnë luftime për qëllime të ndryshme. Në epokën tonë, kjo formë e luftës është më pak e shprehur dhe mund të konsiderohet si diçka e tejkaluar apo si diçka konvencionale.

Shoqëritë dhe vendet e ndryshme në mbarë botën sot ballafaqohen me një koncept të ri të luftës, që quhet  lufta hibride. Lufta hibride është një metodë e re në botën bashkëkohore, ku subjekte të caktuara kryejnë sulme të natyrave të ndryshme për të arritur qëllime të caktuara. Sot kjo luftë manifestohet nëpërmjet sulmeve kibernetike, veprimeve destruktive ekonomike, sulmeve dhe infiltrimeve politike dhe diplomatike, si dhe  propagandës dhe lajmeve të rreme për të ndërtuar opinione jo të sakta, përmes të cilave pretendohet të përshkruhet dhe të gjykohet një gjendje jo faktike. Zakonisht, këtë formë të luftës e hasim nëpër vende jo demokratike apo në vende të cilat nuk kanë demokraci të konsoliduar. Kjo luftë tashmë ka marrë përmasa të mëdha dhe njerëzimi ballafaqohet në vazhdimësi me elemente të kësaj lufte jo të drejtë, e cila në vazhdimësi përhap informacione dhe ndërton opinione të paqena për shtete të caktuara. Lufta hibride karakterizohet me veprime konkrete, ku autorët që qëndrojnë prapa këtyre veprimeve është vështirë t’i identifikojmë dhe është e vështirë që të sillen para përgjegjësisë. Luftë hibride në kohën tonë hasim në luftën Rusi – Ukrainë ku Ukraina në vazhdimësi përballet me sulme kibernetike, plasim të lajmeve të rreme nga Rusia, bllokada të ndryshme ekonomike, etj. Gjithashtu një luftë të tillë e hasim edhe në Serbi, e cila mbështet dhe motivonë subjekte të caktuara për të përhapur opinione të ndryshme, sulme kibernetike, veprime destruktive ekonomike dhe sulme terroriste  kundër Kosovës dhe vendeve të tjera. Natyrisht se veprimet e tilla është vështirë të faktohen dhe të mbahen përgjegjës shtetet të cilat qëndrojnë prapa tyre, por një gjë është e qartë, qëndrimet zyrtare, opinionet publike të këtyre shteteve dhe pasojat që rrjedhin nga këto i formësojnë bindjet se pikërishtë ato qëndrojnë prapa këtyre sulmeve hibride.

Rëndësia e rezervave ujore

Një nga sfidat kryesore që pritet të ndikojë botën në vitet e ardhshme është çështja e ujit të pijshëm. Gjersa popullsia në botë vazhdon të rritet, ndryshimet klimatike vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar dhe rrjedhimisht kërkesa për ujë rritet, konfliktet për këtë burim jetësor pritet të shtohen dhe të bëhen edhe më të ashpra. Shpesh, këto konflikte ndodhin mes vendeve që ndajnë lumenj, liqene apo akuifere ndërkufitare, ku mungesa e ujit katalizon tensionet politike dhe gjeopolitike.

India dhe Pakistani janë përfshirë në mosmarrëveshje të vazhdueshme për shkak te ujërave të lumit Indus. Pakistani akuzon Indinë për reduktimin e rrjedhës së ujit përmes ndërtimit të digave. Ndërsa, aktivitetet e Indisë në pjesën e sipërme të pellgut të lumenjve Gang-Brahmaputra-Meghna ndikojnë negativisht në jetën dhe bujqësinë në Bangladesh, duke gjeneruar konflikte të reja. Nga ana tjetër, konflikti mbi digën në lumin Nil përfshin Egjiptin, Sudanin dhe Etiopinë. Egjipti, që varet kryesisht nga Nili për burimet e tij ujore, sheh çdo ndryshim të rrjedhës si kërcënim për sigurinë e tij. Izraeli, Jordania dhe Palestina janë përballur me mosmarrëveshje të gjata për ujërat e lumit Jordan, në një rajon që vuan nga mungesa ekstreme e ujit. Në Azi, ndërtimi i digave dhe menaxhimi i lumenjve Mekong dhe Brahmaputra nga Kina ka shkaktuar tensione me vendet në rrjedhën e poshtme, si Vietnami, Kamboxhia dhe India. Në Afrikë, shterimi i rezervave të ujit në Liqenin Çad ka çuar në përplasje mes Nigerisë, Çadit, Kamerunit dhe Nigerit. Këto konflikte për ujë pasqyrojnë një problem të thellë dhe të ndërlikuar, ku mungesa e burimeve natyrore shkakton tensione lokale dhe rajonale.

Edhe Kosova nuk është imune ndaj kësaj dukurie duke qenë se rezervuari më i madh i ujit është liqeni i Ujmanit rreth të cilit kemi konteste dhe këcënime të vazhdueshme nga Serbia. Ky liqe është i rëndësisë jetike për Kosovën dhe është cak i veprimeve politike të Serbisë. Për më tepër, në një raport të NATO-s të botuar në korrik të vitit 2024, përmenden parashikime të ngritjes së temperaturave në Kosovë, rritjes së rreziqeve nga zjarri, si dhe reduktimit të reshjeve. Rrjedhimisht, është parashikuar se deri në vitin 2050, katër nga pesë basenet ujore të Kosovës mund të përballen me mungesë uji, gjë që mund të ndikojë në furnizimin me ujë për qytetarët e Kosovës.

Pavarësisht marrëveshjeve rajonale dhe përpjekjeve për të rregulluar shpërndarjen e ujit, shumë konflikte ende mbeten të pazgjidhura. Kjo situatë kërkon bashkëpunim global dhe një angazhim serioz për praktika të qëndrueshme menaxhimi, duke mbrojtur mjedisin dhe duke siguruar që çdo vend të ketë qasje të drejtë dhe të barabartë në burimet ujore. Uji është jetik për mbijetesën tonë dhe zgjidhja e konflikteve për të është një sfidë që na prek të gjithëve.

Prof. Dr. Avni H. Alidemaj-Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative (Kolegji UBT)

Veprimet obstruktive të Serbisë kundër Kosovës

Që nga paslufta, Serbia në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime obstruktive kundër Kosovës. Veprimet e saj karakterizohen me aksione politike e diplomatike, sociale e ekonomike dhe si mjetë të fundit për arritjen e qëllimeve të saj e ka dhunën, të cilën e ushtron përmes grupeve kriminale, të cilat i motivonë dhe i mbështet financiarisht për të destabilizuar dhe për t’a penguar komunitetin serb në Kosovë në integrimin e tij në jetën shoqërore dhe institucionale.

Kosova dhe Serbia janë në një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-të, dialog i cili nuk ka prodhuar rezultate konkrete për normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve. Mungesa e rezultateve në këtë dialog vie për shkak të veprimeve obstruktive të Serbisë në raport me Kosovën. Marrëveshjet të cilat janë arritë në dialog, nuk po gjejnë zbatim pikërisht për shkak të destruktivitetit të Serbisë, e cila ka për qëllim defunksionalizimin e shtetit të Kosovës dhe qëllimi tjetër i saj në dialog është përshpejtimi i rrugës së saj evropiane.

Serbia është një ndër vendet e pakta në Evropë e cila mbështet në heshtje agresionin rus në Ukrainë. Pavarësisht presionit për t’i vendos sanksione Rusisë, ajo as që ka menduar për sanksione të tilla, madje, sot është njëra ndër pak vendet e Evropës e cila mbanë raporte dhe nënshkruan marrëveshje të ndryshme me Rusinë.

Shteti serb përveç mbështetjes që ja bënë Rusisë në politikë dhe diplomaci, ajo edhe në praktikë me veprimet e saj ndihmon që ta përhap konfliktin edhe në Ballkan duke motivuar grupe kriminale që t’a destabilizojnë Kosovën dhe tërë rajonin. Këto grupe, rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe sfidojnë organet e sigurisë së Kosovës, duke sulmuar dhe frikësuar qytetarët serb të cilët vendosin të integrohen në institucionet e Kosovës dhe përfundimisht t’a pranojnë realitetin e ri.

Serbia nuk u mjaftua me kaq ajo kreu agresion kundër Kosovës nëpërmjet organizatave tashmë terroriste. Këto organizata u armatosën mjaftë mirë dhe u stërvitën nëpër kampet ushtarake të saj. Ky shtet asnjëherë nuk mund të jetë konstruktiv dhe pro evropiane me veprimet e saj, pavarësisht zgjedhjes së një rruge të ndërmjetme nga ana e BE-së për t’i gjykuar veprimet e saj. Ajo, sot strehon dhe mbronë terroristë të cilët kryen agresion kundër Republikës së Kosovës, vazhdon të mos i bindet mekanizmave dhe faktorëve ndërkombëtar si BE-së, SHBA-së, si dhe kërkesës së Interpolit për t’i kapur e dorëzuar ata. Si rezultat i veprimeve obstruktive të saj, sulmet kundër Kosovës vazhdojnë nëpërmjet grupeve kriminale. Përkundër faktit se nuk e pranonë përgjegjësin se qëndron prapa këtyre grupeve, të cilat sulmuan infrastrukturën kritike të Kosovës, dhe njëheritë sulmuan sigurinë kombëtare të Kosovës, Serbia vazhdon me mbështetjen logjistike dhe financiare të tyre. Ky sulm ishte i mirë organizuar dhe kishte për qëllim ta kollapsonte Kosovën. Kjo qasje obstruktive e Serbisë kundër Kosovës pritet të vazhdoj edhe për një kohë të gjatë deri në pranimin e realitetit të ri. Ndryshimi i qasjes së saj mund të ndodhë vetëm me një presion serioz dhe veprime konkrete nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Prof. Dr. Alban Maliqi-Profesor i shkencave politike dhe të sigurisë (Kolegji UBT)

Reagimi i duhur i Republikës së Kosovës

Si pasojë e sulmeve të fundit në veri të Kosovës, është vërejtur edhe një betejë mediale ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve politike, partive politike dhe analistëve të shumtë rreth reagimit “që është bërë, do duhej bërë dhe nuk është bërë”. Përgjithësisht, jemi mësuar që në Kosovë të kemi një qasje reaktive, ndonjë herë edhe të shpejtë dhe efikase, për të minimizuar apo neutralizuar efektet e një veprimi potencialisht të dëmshëm për jetën, pronën apo edhe vet sigurinë e përgjithshme të qytetarëve. Një reagim i tillë u dëshmua edhe në rastin e fundit të sulmit terrorist në kanalin e ujit. Mirëpo, në vendet me institucione të zhvilluara, me plane të qarta të veprimit dhe strategji për sigurinë e përgjithshme të shtetit, reagimet më efikase janë ato që përdorin qasje proaktive dhe parandaluese. Zbatimi i kësaj qasje është më i kushtueshëm, kërkon resurse financiare, njerëzore dhe teknologjike, megjithatë është shumë efikase dhe profesionale. Një gjë e tillë nuk është vërejtur dhe as dëshmuar në rastin e fundit të sulmit terrorist. Për më tepër, një strukturë vitale për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve është lënë plotësisht e pambrojtur. Deklaratat e disa përfaqësuesve të institucioneve politike dhe shtetërore artikuluan pamundësinë që të vëzhgohet dhe mbrohet një strukturë e tillë me gjatësi 50 kilometra. Në fakt, kjo strukturë mund të mbikëqyret nëpërmjet teknologjisë në pjesën më të madhe të saj, pasi që kalon nëpër vende të banuara me shqiptarë e të cilët e ruajnë vet për shkak të rëndësisë jetike për ata. Ndërsa, pjesa më kritike në zonën e komunës së Zubin Potokut (jo më shumë se 7-8 kilometra) do të duhej mbikëqyrur dhe mbrojtur edhe nga pjesëtarët e institucioneve të sigurisë. Qasja „shohim e bëjmë“ e cila ka zëvendësuar strategjitë e parandalimit të rreziqeve të sigurisë është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme për vet mbijetesën e shtetit tonë.

Çasja mbipartiake në trajtimin e çështjeve me interes shtetëror dhe kombëtar

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë arritur të hartojnë ndonjë strategji dhe plan të veprimit për rrugëtimin e shtetit tonë. Rrjedhimisht, po shpërfaqet paradoksi i ngatërrimit të konceptit të shtetit me pushtetin. Madje një strategji e tillë mungon edhe në nivelin kombëtar shqiptar dhe pikërisht mungesa e kësaj strategjie kombëtare, jo rrallë, shpërfaqet në formë të fërkimeve dhe kundërshtive ndërmjet udhëheqësve të institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri, duke shkaktuar polarizime edhe ndërmjet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi. Megjithatë, përfaqësuesit politik dhe institucional në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi do të duhej të përcaktonin disa objektiva që përcaktojnë interesin e përgjithshëm kombëtar dhe në harmoni me te edhe interesat shtetërore. Kjo do të siguronte një qëndrim të unifikuar rreth çështjeve vitale që i përkasin kombit dhe shteteve respektive. Kjo mungesë e bashkëveprimit është shpërfaqur dukshëm edhe në rastin e sulmeve të fundit terroriste ndaj Kosovës me ç’rast përfaqësuesit institucional dhe ata të partive politike opozitare shpërfaqen qëndrime diametralisht të kundërta duke u përpjekur të përfitojnë politikisht nga sulmi që rrezikoj të dëmtonte rëndë shtetin dhe qytetarët e saj. Të gjithë pajtohemi se sulmi ishte i orkestruar nga Serbia dhe kishte për qëllim destabilizimin e përkohshëm të Kosovës duke shkaktuar dëme të mëdha, adresimi i të cilave do ti kushtonte vendit resurse të mëdha financiare, njerëzore dhe teknologjike. Ndërsa, Serbia përmes strukturave të saja kriminale dhe terroriste që operojnë në Kosovë, do të punonte e pa penguar në planifikimin e sulmeve të ardhshme. Atëherë, reagimi i përbashkët, i unifikuar duke i arkëtuar pikë shtetit funksional dhe institucioneve shtetërore në Kosovë do të kishte qenë i duhur. Ne zgjodhëm të bëjmë të kundërtën! Institucionet politike dështuan edhe kësaj radhe dhe dëmet e rënda nga sulmi i fundit terrorist ndaj Kosovës u minimizuan duke ju falënderuar profesionalizmit të ekspertëve të inxhinierisë ujore, inxhinierisë së ndërtimit, zjarrfikësve dhe gjithsesi policisë së Kosovës.

“Shtet i fortë është pikërisht ai ku çdo qytetar dhe grupim, përkundër divergjencave eventuale, e ndien vetën pjesë të tij” (Thomas Jefferson).