Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, se është duke e përcjellë nga afër gjendjen në teren, pas reshjeve të orëve të fundit që kanë rënë mbi vendin tonë.
Reshjet e orëve të fundit kanë rënduar situatën me vërshimet.
Sipas raportit nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës gjendja paraqitet e rënduar me vërshime dhe bllokim të disa rrugëve, ngritje të nivelit të ujit, dalje nga shtrati i disa lumenjve dhe rrëshqitje të dheut për shkak të reshjeve atmosferike.
Mirëpo, situata është duke u menaxhuar me sukses nga mekanizmat lokal, që janë në vend të ngjarjes dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë për mbështetje nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.