Rëndohet edhe më shumë jeta e qytetarëve, më 2025 çmimet u rritën për 3.9%

Gjatë vitit 2025, qytetarët e Kosovës janë përballur me një tjetër valë shtrenjtimesh që kanë rënduar ndjeshëm jetesën e përditshme. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht për 3.9 për qind krahasuar me vitin 2024.

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë vazhduar të rriten gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në dhjetor 2025 ishte 5,3 për qind më i lartë krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Ndërkohë, inflacioni mujor – që mat ndryshimin mes nëntorit dhe dhjetorit – arriti në 0,7 për qind.

Në nivel vjetor, norma mesatare e inflacionit për vitin 2025 ishte 3,9 për qind, që tregon se çmimet e konsumit në vend kanë qenë mesatarisht kaq më të larta sesa një vit më parë, shkruan Demokracia.com.

Rritjet më të mëdha vjetore të çmimeve

Indeksi i tërësishëm i çmimeve është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të domosdoshme. Krahasuar me vitin 2024, rritja më e lartë është regjistruar te kafeja, çaji dhe kakaoja me 15,2 për qind, shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit me 11,6 për qind, pemët me 11,5 për qind, energji elektrike me 11,4 për qind, dhe mishi me 11 për qind.

Po ashtu, pushimet e organizuara janë shtrenjtuar për 10,3 për qind, mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit për 9,2 për qind, vajrat dhe yndyrat për 8,4 për qind, ndërsa produktet e qumështit, djathi dhe vezët për 7,2 për qind.

Në listën e rritjeve përfshihen edhe shërbimet hoteliere (7,0%), shërbimet ambulantore (6,3%), perimet (5,9%), pijet alkoolike (5,3%), si dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomive shtëpiake (5,2%).

Sipas ASK-së, ndikim të dukshëm në rritjen e përgjithshme të indeksit kanë pasur edhe gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,1%), ujërat dhe pijet joalkoolike (4,8%), pajisjet terapeutike (4,7%), kujdesi personal (4,6%), veglat dhe pajisjet për shtëpi e kopsht (4,0%), duhani (3,9%) dhe buka e drithërat (3,8%).

Në përgjithësi, të gjitha këto kategori kanë pasur një ndikim të përbashkët prej 4,1 për qind në rritjen e indeksit të çmimeve të konsumit.

Në të kundërt, rënie e çmimeve është vërejtur vetëm te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet personale të transportit, me -4,6 për qind, që ka ndikuar me -0,3 për qind në indeksin e përgjithshëm.

Dhjetori 2025 ndaj dhjetorit 2024

Vetëm në dhjetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ngritja e çmimeve është ndikuar më së shumti nga pemët (19%), energji elektrike (18,3%), shërbimet e transportit personal (18,1%), mirëmbajtja e automjeteve (14,7%), mishi (14,4%), dhe pushimet e organizuara (13,5%).

Po ashtu, janë shtrenjtuar edhe lëndët djegëse si druri dhe peletët (13,1%), kafeja, çaji dhe kakaoja (11,9%), produktet e qumështit (9,8%), shërbimet ambulantore (8,9%), shërbimet hoteliere (8,8%), dhe duhani (6,6%).

Në këtë periudhë, një ndikim të përbashkët në IHÇK prej 5,4 për qind kanë pasur edhe kategoritë si kujdesi personal, mallrat për mirëmbajtjen e shtëpisë, pijet alkoolike, buka e drithërat, dhe arsimimi.

Rënie sërish është shënuar vetëm te karburantet dhe lubrifikantët për transport personal, me -1,7 për qind.

Inflacioni mujor – Dhjetor 2025 ndaj Nëntorit 2025

Krahasuar me muajin paraprak, çmimet e konsumit në dhjetor janë rritur për 0,7 për qind. Rritja është ndikuar kryesisht nga energji elektrike (8,7%), bileta të fluturimeve (8,4%), lëndë djegëse si druri dhe peletët (3,0%), perime (2,9%), bileta të transportit rrugor (2,2%), veshje (1,2%), dhe mish (1,1%).

Rritje më të vogla janë regjistruar edhe te qumështi, djathi dhe vezët (0,7%), mallrat për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake (0,5%), si dhe mobiliet dhe orenditë (0,4%). Këto kanë pasur një ndikim të përbashkët prej 0,8 për qind në indeksin e përgjithshëm të çmimeve.

Ndërkaq, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë shënuar ulje prej -1,3 për qind, duke ndikuar me -0,1 për qind në IHÇK./Demokracia.com/.