Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ka ngritur alarmin për rrezikun serioz të mbylljes së Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, për shkak të pamundësisë së funksionalizimit të objektit të ri.
Sipas tij, tenda dhe depoja e KEDS-it e vendosur në pronën e UP-së po pengon largimin e shtyllës së tensionit të lartë pranë objektit të ri të FBV-së, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor.
“Situata është jashtëzakonisht serioze dhe nuk kemi më as edhe një orë për të humbur. Ne nuk mund ta zhvillojmë mësimin në ara. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë nuk ka shtëpi”, deklaroi rektori Hajrullahu.
Ai tha se Universiteti i Prishtinës ka përkrahjen e të gjitha institucioneve publike për zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë, por se KEDS-i, pavarësisht kërkesave zyrtare që nga fillimi i korrikut 2025, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zhvendosjen e depos.
Duke prezantuar pamje nga gjeoportali i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, rektori theksoi se kjo depo nuk ka ekzistuar para tetorit të vitit 2020.
Rektori paralajmëroi edhe veprime të mëtejme deri në lirimin e plotë të pronave të Universitetit të Prishtinës, duke ftuar organet e rendit dhe të sundimit të ligjit që të ndërmarrin masa ndaj uzurpatorëve të hapësirave universitare.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof. Arben Musliu, prodekani Fatgzim Latifi, si dhe profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. Përparim Ameti.
Universiteti i Prishtinës kishte dalë edhe të martën me një sqarim të detajuar lidhur me pengesat që, sipas tij, KEDS-i po ia shkakton funksionalizimit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.











