Lotët e gëzimit, ndjenjat e krenarisë e mbrojtjes së atdheut kapluan sot familjarët e rekrutëve të rinj që dhanë betimin e tyre se me nder dhe përkushtim do t’i shërbejnë atdheut.
Palestra sportive “Bill Clinton” në Ferizaj nuk u mbush sot me tifozë për ekipe sportive, por me familjarë të ushtarëve më të rinj në vend.
Dashurinë për atdheun dhe dëshirën për ta mbrojtur atë e vazhdoi edhe Orlon Demaj. E babai i tij, Muhadit Demaj ndjehet shumë krenar që djali i tij e vazhdoi rrugëtimin e tij.
“Edhe vetë kam shërbyer fillimisht në Ushtrinë Çlirimtare të lavdishme, pastaj në trupat mbrojtëse deri në vitin 2009 dhe tani në vitin 2005 posa i ka mbushur djali 18 vite është rekrutuar dhe është bërë pjesë aktive e FSK-së”, tha ai.
Nga 344 rekrutët e rinj që sot u certifikuan janë edhe Ardit dhe Shuajb Kuka, e babai i tyre, Miloti ndjehet shumë krenar që djemtë e tij do t’i shërbejnë atdheut.
“Sot kanë diplomuar të dy djemtë e mijë… (si po ndihesh) Shumë mirë, shumë krenar jam. E di që jam në shërbim të atdheut tim për mua jam në emocion dhe gjithçka është shumë mirë për djemtë e mi që arritën të diplomojnë sot”, tha ky prind.
Bahri Jahiri, i cili mban emrin e dëshmorit të familjes së tij, thotë se ka zgjedhur të shërbejë në profesionin më fisnik.
“Dita e sotme është shumë ndjenjë e veçantë për arsye se kemi zgjedh profesionin më fisnik, e kemi zgjedhur uniformën të FSK-së… Këto 9 janë mund të them se kanë qenë sfiduese, por kanë qenë edhe të mira për arsye se kemi mësuar shumë gjëra, për arsye se kalimi nga jeta civile në ushtarake nuk është aspak e lehtë. Kemi mësuar shumë gjëra për mbijetesës dhe gjëra që jeta civile nuk ua mëson… Frymëzimi im kryesisht fillon prej familjes, unë vij nga një familje, vetëm emrin e kam të dëshmorit”, tha ai.
Leonora Gajtani shprehet e lumtur që ëndrrën e saj fëmijërore sot e kurorëzoi me sukses. Ajo thotë se 9 javët e trajnimit ushtarak kanë qenë të vështira, por ia kanë dalë mbarë.
“Është ndjenjë shumë e veçantë me qenë përbrenda kësaj uniforme dhe t’i shërben atdheut, këtij flamuri dhe kësaj steme. Këto 9 javë trajnim kanë qenë shumë të vështira për neve, por fal përgjegjësve tanë që na kanë ndihmuar me i tejkaluar këto sfida. Instruktorët kanë qenë shumë motivues për neve, na kanë motivuar gjatë tërë kohës”, tha ajo.
Në ceremoninë e certifikimit të 344 rekrutëve të rinj në Ferizaj, morën pjesë edhe krerët shtetërorë. FSK mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Kosovës. Ajo është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore.