Rekordi i zi i zgjedhjeve, 109 të arrestuar vetëm në Prizren – a janë këto zgjedhje të lira?

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 kanë marrë kahe të errët pas arrestimit të 109 personave nën dyshimet për falsifikim të rezultatit të votimit e marrje ryshfeti në lidhje me votimin.

Krejt të dyshuarit janë arrestuar vetëm në Prizren, duke e bërë për faqe të zezë, ditën që cilësohet si e demokracisë, ajo e mbajtjes së zgjedhjeve.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar 109 të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “falsifikimi i rezultateve të votimit”, “kanosje” dhe “dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë katër prokurorë dhe rreth 200 zyrtarë policorë.

“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhej në një njoftim.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të qartë se kandidatët për deputet të përfshirë në manipulimin e votave në Prizren do të ftohen për intervistim në Prokurori.

Kryeziu deklaroi se fillimisht janë duke punuar me komisionerët dhe vëzhguesit, të cilët sipas tij kanë keqpërdorur drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve, mirëpo ai bërë të ditur se për intervistim do të ftohen edhe kandidatët për deputet.

“Prokuroria udhëhiqet me prova, deri në këtë fazë jemi duke vepruar ndaj atyre që drejtpërdrejt kanë keqpërdorur votën, kanë keqpërdorur rezultatet, ata kanë vendosur firmat e tyre dhe është e tyre që të bashkëpunojnë me ne, deri në këtë fazë nuk kemi ndonjë informacion që involvon ndonjë kandidat drejtpërdrejt në ndëryhrje, mirëpo unë besoj që kandidatët do të dëgjohen edhe në prokurori. Në rast se nuk do të arrijmë të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve. Ne kemi dëgjuar deklarata e tyre mediale, shumë prej tyre pa përjashtim kanë deklaruar që ndihen të dëmtuar për shkak të imazhit, kështu që prokuroria do t’ia ofrojë mundësinë që t’i marrim në cilësinë e të dëmtuarve, t’ua japim mundësinë t’i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe t’ua thonë në sy atyre që janë të dëmtuar, kjo do të jetë e fundit, përndryshe ne do të bëjmë të pamundur që të sigurojmë prova dhe do të jemi të pakompromis ndaj të gjithëve pa dallim”, tha Kryeziu në konferencë për media.