Rekord me dhurata në Kryeministri: 183 të pranuara brenda vitit

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit deri më 1 mars 2024, ka pranuar njoftime se 24 institucione  kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata, ndërsa 169 institucione kanë njoftuar se nuk kanë pranuar asnjë dhuratë gjatë vitit të kaluar, shkruan Demokracia.com.

Në raportin vjetor të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2024, është zbuluar se Zyra e Kryeministrit ka pranuar më shumë dhurata se çdo institucion tjetër në Kosovë gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të raportuara, Zyra e Kryeministrit ka regjistruar 67 dhurata protokollare dhe 116 dhurata të rastit, për një total prej 183 dhuratash. Ky shifër është e ndjeshme më e lartë se institucionet e tjera që kanë raportuar të njëjtat forma të dhuratave.

Ndër institucionet tjera, Kuvendi i Kosovës dhe Zyra e Presidentes kanë raportuar respektivisht 22 dhe 27 dhurata protokollare, ndërsa Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës nuk kanë regjistruar asnjë dhuratë gjatë këtij viti. Në anën tjetër, Banka Qendrore e Kosovës ka raportuar 103 dhurata protokollare dhe 53 dhurata të rastit, për një total prej 156 dhuratash.

Megjithatë, raporti gjithashtu thekson disa sfida të cilat institucionet përballen. Për shembull, disa institucione të nivelit lokal nuk kanë emëruar ende zyrtarët përgjegjës për dorëzimin e raporteve të dhuratave, ndërsa një institucion nuk ka respektuar kërkesat ligjore për dorëzimin e raporteve të duhura, duke shkelur kërkesat për transparencë dhe llogaridhënie.

Ky raport reflekton përpjekjet për të zbatuar praktikat e duhura të transparencës dhe për të adresuar sfidat administrative brenda institucioneve. Për më tepër, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thekson nevojën për një përmirësim të vazhdueshëm të proceseve të raportimit për të siguruar që të gjitha dhuratat të raportohen dhe regjistrohen në përputhje me standardet ligjore.

“Megjithatë, disa sfida vazhdojnë të ekzistojnë, 2 institucione të nivelit lokal nuk kanë emëruar ende zyrtarin përgjegjës, duke ngritur shqetësime për mundësinë e mos-raportimit të plotë dhe korrekt të dhuratave në nivelin lokal. Për më tepër, 1 institucion nuk ka dorëzuar raportet përkatëse lidhur me dhuratat e pranuara, duke shkelur kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni për transparencën dhe llogaridhënien. Ndërsa në një rast tjetër, në 2 institucione zyrtarët përgjegjës të emëruar janë aktualisht në procese ankimimi, gjë që ka kufizuar aksesin e tyre në e-mailat zyrtar, duke penguar kështu mundësinë për raportim të rregullt dhe të saktë, ndërkohë, një institucion tjetër ka treguar se ka kufizime ligjore sa i përket raportimit (AKI). Ky informacion tregon se, ndërkohë që një pjesë e institucioneve ka treguar përputhshmëri me kërkesat ligjore, ende mbeten disa sfida në implementimin e plotë të praktikave të duhura të raportimit, veçanërisht në nivelin lokal dhe në disa institucione me probleme të brendshme administrative”, thuhet në raportin e AKK-së për vitin 2024, i publikuar ditë më parë.

Pra, këto janë vetëm dhuratat e deklaruara zyrtarisht. /Demokracia.com/

Institucionet të cilat kanë dorëzuar kopjet e regjistrit të dhuratave me të dhënat e specifikuara, gjatë këtij viti për vitin paraprak janë institucionet e listuara në tabelën si më poshtë: